Në apartamentin e shtetases Marsida Qatja, në vitin 2019 u vra ish-i dashuri i saj, Dritan Haxholli nga Bledar Toçi, ish-shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit. 33-vjeçarja ka rënë ditën e sotme në prangat e policisë.
Ajo duhet të vuajë dënimin me 2 vite burg për veprën penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”.
Qatja kishte pasur një lidhje jashtëmartesore me Dritan Haxhollin (viktima) të cilës i kishte dhënë fund dy javë para se të ndodhte vrasja e tij. Në momentin e krimit, Marsida Qatja ndodhej në banesën e saj, në Kavajë, me tre meshkuj, Bledar Toçin, (efektiv sigurie në burgje, autor i vrasjes), Xhuljo Biturkun, fqinji i saj dhe Ermir Çelën, një mik, të cilët sipas burimeve kanë qenë duke konsumuar alkool dhe lëndë narkotike.
Haxholli, (viktima) ndonëse ishte ndarë me Marsidën, nuk e pranonte faktin që Qatja kishte vazhduar jetën dhe kjo ka bërë që të futet me forcë nga dritarja dhe të qëllojë me breshëri automatiku duke lënë të plagosur Bledar Toçin. Ky i fundit iu kundërpërgjigj me pistoletën e shërbimit duke e lënë të vdekur në vend 41-vjeçarin.
Në momentin që ka ndodhur ngjarja në banesë ka qenë edhe fëmija 2-vjeçar i 33-vjeçares. Dy fëmijët e tjerë kanë qenë në shtëpinë e të afërmve të ish-bashkëshortit të saj.
Në atë periudhë, burimet nga policia bënë më dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur 16 gëzhoja. Shefi i sigurisë së Brendshme në burgun e Durrësit, Bledar Toçi, i martuar dhe baba i një fëmije, u arrestua nga policia në spital për “vrasje me dashje”. pista fillestare ishte ajo e xhelozisë.
Por, hetimet e mëtejshme treguan se të rinjtë dhe vetë Qatja ishin të përfshirë në tregtinë e lëndëve narkotike.