Reperi i njohur PnB Rock ka ndërruar jetë në moshën 30 vjeçare, pasi u qëllua për vdekje gjatë një grabitjeje në restorantin ‘Roscoe’s Chicken & Waffles’ teksa po darkonte me të dashurën e tij. I njohur më së shumti për hitin e tij të vitit 2016 “Selfish” reperi u qëllua me armë zjarri në orën 13:15 në restorantin e famshëm në Main Street dhe Manchester Avenue.
30-vjeçari, emri i vërtetë i të cilit ishte Rakim Allen, kishte qenë në restorant me të dashurën e tij, e cila kishte postuar një foto të etiketuar me vendndodhjen në një postim të fshirë në Instagram. Sipas raportimeve një i dyshuar hyri me një armë zjarri brenda restorantit dhe kërkoi sende nga viktima. Burime për “The Times” thanë se Rock ishte në shënjestër për bizhuteritë e tij. Burimi tha se: “Viktima u qëllua pothuajse menjëherë nga sulmuesi gjatë grabitjes. Ai qëlloi viktimën dhe vrapoi nga dera anësore në një makinë dhe më pas u largua nga parkingu”.
Kelly Muniz nga policia e Los Angeles theksoi se viktima u dërgua në spital dhe u shpall i vdekur në orën 13:59. Rock ka lindur më 9 dhjetor 1991, në Filadelfia. Ai para disa kohëve tha për “Paper Magazine” se u frymëzua për të bërë muzikë në moshën 19-vjeçare pasi dëgjoi albumin e Drake, “Take Care”. I ndjeri publikoi këngën e tij më të fundit, “Luv Me Again”, më 2 shtator.
Përgjatë gjithë karrierës së tij, PnB Rock ka bashkëpunuar me artistë të njohur si: Ed Sheeran, Chance the Rapper, Wiz Khalifa, 2 Chainz, Kodak Black, Young Thug dhe A Boogie wit da Hoodie. Përveç mixtape-ve të tij të shumtë, PnB Rock publikoi dhe dy albume “Catch These Vibes” të 2017-ës dhe “TrapStar Turnt PopStar” të 2019-ës.