Një 62-vjeçar është arrestuar në Poliçan, pasi qëlloi me armë zjarri në ajër.
Shtetasi me iniciale H. D., akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Sakaq policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar një armë gjahu pa leje, një sasi fishekësh dhe 2 ndezës granate.
Njoftimi i policisë:
Sekuestrohen një armë gjahu dhe municion luftarak.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Poliçan, pas njoftimit të marrë se në fshatin Paraspuar, Poliçan, kishte të shtëna me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në drejtim të vendit të ngjarjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të strukturave të Policisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-H. D., 62 vjeç, banues në fshatin Paraspuar, Poliçan, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme, ka qëlluar me armë zjarri, në ajër, në fshatin Paraspuar, Poliçan. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit H. D., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë gjahu pa leje, një sasi fishekësh dhe 2 ndezës granate.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.