Një 30-vjeçar, i identifikuar si Juxhin Qesaraka, është arrestuar pasi tentoi të vriste me armë zjarri, një bashkëmoshatarin e tij. Ngjarja e rëndë është shënuar në fshatin Pendavinj të Maliqit. 29 vjeç kishte qenë i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Policia ka sekuestruar krëhëra automatiku dhe pushke, si dhe municion luftarak.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tentoi të vriste me armë zjarri një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, bie në prangat e Policisë 30-vjeçari. Sekuestrohen krëhëra automatiku dhe pushke, si dhe municion luftarak.
Arma e gjetur
Mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:30, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Pendavinj, Maliq, shtetasi J. Q., 30 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin B. D., 29 vjeç (i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje), të dy banues në fshatin Pendavinj, kishte qëlluar me armë zjarri tip automatik në drejtim të tij, pa i shkaktuar lëndime, shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në bashkëpunim me Strukturat për Hetimin e Krimeve në Dvp Korçë dhe Forcat Speciale “Shqiponjat”, shkuan menjëherë në vendngjarje dhe falë ndërhyrjes së shpejtë, bënë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, kapjen dhe ndalimin e autorit të dyshuar të ngjarjes.
Nga veprimet e mëtejshme dhe kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit J. Q., u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale krëhëra automatiku dhe pushke, pjesë të tjera përbërëse të armëve të zjarrit dhe municion luftarak.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/Priza.al/