Deputetja e PD, Ina Zhupa ka reaguar në lidhje me rifillimin e vitit akademik.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Zhupa shkruan se sot në 15 vjet, janë 226 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës.
Sakaq shto se arsimi po përballet me një sërë problemesh, duke filluar nga mungesa e internetit, bazës ushqimore, mungesa ujit të rrjedhshëm, ngrohjes e ftohjes.
Sipas saj një qeveri që nuk kujdeset për arsimin, është qeveri anti-shqiptare.
Postimi i plotë:
Vit të mbarë shkollor nxënës dhe mësues!
Fatkeqësisht 226 mijë nxënës më pak në bankat e shkollës në 15 vjet.
Shifër alarmante që tregon qartë shpopullimin e Shqipërisë nga keqqeverisja.
Por edhe pse nxënës më pak, mungesa e vullnetit politik për t’i çuar paratë dhe investimet te arsimi ka bërë që problemet të jenë edhe më të thella se 15 vite më parë.
Nga premtimet me klasa dixhitale edhe me 4 milion euro të harxhuara kemi kaluar te librat e përdorur dhe kërcënimet për fëmijët. Librat e përdorur janë larg të qenit tekste nga të cilat fëmija mund të mësojë edhe të zhvillohet. Tallja me tekste falas vazhdon në ERTV.
Klasat kolektive vazhdojnë edhe pse duhet të ishte realitet i tejkaluar në 2022.
Në mes të Tiranës ende zhvillohet mësim me turne.
Mungesa e internetit në më shumë se 50% të shkollave rurale (sipas Bankës Botërore vetëm 47% e shkollave rurale kanë akses në internet.
Mungesa së bazës mësimore në kabinete, laboratore në shkollat e Shqipërisë.
Mungesa e ujit të rrjedhshëm në shkolla, edhe në zonat rurale mungesë e ngrohjes dhe ftohjes së klasave.
Rrogat e mësuesve janë tregues i qartë se si ka dështuar edhe me arsimin kjo qeverisje. Nga viti 2013 deri tani, duke llogaritur edhe inflacionin, rritjen e çmimeve çdo vit, pothuajse nuk ka rritje reale të pagave me Edi Ramën.
Këto janë vetëm disa nga problemet që përballet arsimi sot. Një qeveri që nuk kujdeset për arsimin, është qeveri antishqiptare. E ardhmja është në rrezik! #Shqipërianërrezik
Kryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Arsimin, Flutura Açka pohoi po ashtu se në shkolla po bie numri i nxënësve dhe se shifrat janë alarmante.
“Buxheti ka mbetur në kuotat e 3% kur në fakt duhet të jetë deri në 5%. Në vitin 2013 ka qenë shifra e buxhetit në 3.54% dhe nga ky moment jo vetëm që nuk ka pasur shtesë por është ulur. Kosova harxhon 4.2 % për arsimin. Jemi edhe në rajon shumë më pak. Çështja e dytë ka të bëjë me pakësimin e numrit të nxënësve. Sipas të dhënave shtetërore, në 5 vitet fundit kemi humbur rreth 58 mijë nxënës. Kemi humbur çdo vit rreth 8500 nxënës në vit. Shifrat në një farë mënyrë janë alarmante. Vetëm këtë vit me të dhënat paraprake, kemi 1000 nxënës më pak të regjistruar në këtë vit shkollor. Ne kemi gati 33 klasa më pak. Kemi dy shkolla më pak për shkak të emigrimit masiv. Janë regjistruar fëmijë për dy shkolla më pak. Kemi humbur gati 10% të nxënësve të evidentuar. Një shifër tjetër ka edhe braktisja e shkollës. Braktisja e shkollave është në shifra deri në 10% dhe mendoj se është një shifër që duhet të na shqetësoj të gjithëve ne. Mësuesit kanë vite që nuk marrin asnjë shpërblim prej vitesh”, tha ajo.
Edhe deputetja e PD, Jorida Tabaku shprehet se regjistrimet për këtë vit shkollor, ku thekson se qeveria nuk po përpiqe për të ndaluar ‘hemoragjinë’ e largimit të shqiptarëve.
“Suksese të gjithë fëmijëve dhe të rinjve që kanë nisur sot vitin shkollor. Fatkeqësisht regjistrimet këtë vit shkollor janë thuajse 3 herë më të ulëta se sa një vit më parë duke qenë një tjetër tregues i rënies demografike dhe shkretërimit të vendit. Prej vitesh politikat e qeverisë nuk janë fokusuar në këtë betejë për të ndaluar hemoragjinë e largimit të shqiptarëve. Na duhet punë dhe përkushtim për t’i rikthyer shqiptarët në vendin e tyre, dy cilësi që kjo qeveri dhe mazhorancë nuk i zotëron edhe pse uron përvit prej 8 vitesh vitin e ri shkollor me suksese që patjetër janë imagjinare dhe propagandë për sa kohë numri i nxënësve bie”, shprehet ajo.