Qeveria britanike anuloi planet për pasaportën e vaksinës si kusht i detyrueshëm për të hyrë në mjedise të mbyllura në Angli. Njoftimi u bë nga vetë ministri i Shëndetësisë, Sajid Javid.
“Jam i lumtur t’u vë në dijeni se nuk do t’i vijojmë më tej planet për pasaportat e vaksinave”, i tha ai BBC-së.
Plani, i cili pritej të hynte në fuqi në fund të shtatorit, do të bënte të detyrueshme pasaportat e vaksinimit për britanikët që hyjnë në mjedise publike të mbyllura – siç p.sh. klubet e natës.
“Është e drejtë të thuhet se shumica e njerëzve ndoshta nuk janë dakord me këtë”, tha Javid. “Asnjëherë nuk më ka pëlqyer ideja që t’u kërkojmë njerëzve dokumente si kusht për të bërë atë që është thjesht një aktivitet i përditshëm.”
Megjithatë, sipas ministrit, nuk do të hiqet dorë plotësisht nga pasaporta e vaksinimit, pasi ajo do të mbetet një opsion i mundshëm. Në fillim të këtij muaji, ministri për vaksinimin, Nadhim Zahwi, tha se pasaportat ishin të nevojshme për të mbajtur hapur mjediset e mëdha, por kjo shkaktoi zemërim te industria hoteliere.
“Kjo ide ka qenë gjithmonë diskriminuese,” tha këshilltari i ekonomisë së natës i Mançesterit, Sacha Lord. “Ne kemi vërtetuar se mund të garantojmë evente të sigurta.”
Pavarësisht se duket si një kthesë 180 gradë, vendimi i qeverisë britanike nuk është i papritur. Javët e fundit, krahas presionit nga industria e argëtimit, është përballur edhe me atë të disa prej deputetëve konservatorë.
/Burimi: BBC/ Përshtati Priza.al/