Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në përfundimin se menaxhimi i mbetjeve plastike në vend lë për të dëshiruar dhe e vetmja nismë që ka pasur ndikim minimal ka qenë ajo e qeseve. Nisma të tjera më të hershme të ndjekura nga Bashkitë dhe të trumbetuara si e ardhmja e menaxhimit kanë dështuar duke mos dhënë rezultat.
KLSH vëren se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (MTM), Bashkitë Tiranë, Vlorë dhe Elbasan nuk kanë qenë efektive sa u përket menaxhimit të mbetjeve plastike për periudhën 2017-2020 që u mor në analizë gjatë auditimit.
“Mangësi të theksuara janë vërejtur në hartimin dhe miratimin e kuadrit ligjor e rregullator të nevojshëm për menaxhimin e mbetjeve plastike. MTM nuk ka hartuar Programet e parandalimit të krijimit të mbetjeve dhe nuk ka raportuar asnjëherë në Këshillin e Ministrave mbi Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve, ndërsa Bashkia e Tiranës dhe Vlorës nuk kanë hartuar dhe miratuar Planet Vendore për menaxhimin e integruar të mbetjeve”,- thuhet në raport.
I njëjti dokument ndalet tek bashkitë specifike, duke nënvizuar se atyre u mungon infrastruktura për të diferencuar mbetjet.
“Bashkitë e Tiranës, Elbasanit dhe Vlorës nuk kanë krijuar infrastrukturën e nevojshme për të bërë të mundur grumbullimin e diferencuar të mbetjeve në burim dhe objektivi kryesor për përdorimin dhe riciklimin e plastikës me 22.5% kundrejt volumit total që krijohet në këto bashki, nuk është arritur dhe nuk do të arrihet për aq kohë sa infrastruktura do të jetë kjo që është”,- nënvizon KLSH.
Ky institucion thekson se aktivitetet informuese dhe edukuese që Bashkitë Tiranë, Elbasan dhe Vlorë do të duhej të arrinin nëpërmjet kompanive private që kryejnë shërbimin e pastrimit të qytetit dhe që kanë detyrimin kontraktual për edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve por nuk janë arritur.
Më shqetësues është fakti që sot autoritetet nuk kanë të dhëna të sakta për mbetjet plastike që gjenerohen apo riciklohen në vend.
“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk kanë të dhëna të plota dhe të sakta në nivel kombëtar, mbi sasinë e mbetjeve plastike që gjenerohen dhe riciklohen në Shqipëri.
Të dhënat mbi sasinë e mbetjeve plastike të gjeneruara dhe të menaxhuara do të vazhdojnë të jenë problem deri në momentin që NJQV të arrijnë të sigurojnë ndarjen e mbetjeve në burim (duke qenë se ndarja në burim nuk bëhet në asnjë prej bashkive subjekt auditimi), grumbullimin e diferencuar dhe peshimin e sasisë së mbetjeve sipas rrymave në momentin dërgimit të tyre në landfill, incenerator”,- thuhet në raport.
Ky dokument ndalet edhe tek ndërtimi i inceneratorëve si alternativë që përfshin pjesën e mbetjeve por duke ju referuar studimit të Bashkimit Euopian e cilëson atë si një ndër zgjidhjet e fundit për çështjen e mbetjeve për shkak të ndotjes së madhe që krijon kjo praktikë.
/Priza.al/