Qeveria e ndikoi negativisht ekonominë, konsumi ra me 4.8%

Viti 2022 është ndër të paktat vite ku rendimenti fiskal, të ardhurat buxhetore janë rritur me ritme dyshifrore në krahasim me vitin 2021 me rreth 12%.

Çmimet e larta të mallrave kanë ndikuar në rritjen e të arkëtimeve buxhetore nga taksat mbi konsumin, por nga ana tjetër në vitin 2022 qeveria kishte një kontribut negativ në ekonomi.

Sipas të dhënave nga INSTAT konsumi i administratës publike në ekonominë e vendit shënoi rënie me 4.8 për qind. Sipas grafikut të mëposhtëm rënia ishte sistematike për të gjithë tremujorët.

PBB më metodën e shpenzimeve ka si komponent të rëndësishëm “Konsumin final të administratës publike”. Sipas shpjegimeve metodologjike “Konsumi final i administratës publike” përfaqëson vlerën e shërbimeve jotregtare të kryera nga administrata publike në përfitim të komunitetit.

Metoda e shpenzimeve është një nga mënyrat për llogaritjen e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Ajo llogarit PBB duke shtuar shpenzimet e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Komponenti i Administratës Publike në PBB është një pjesë e kësaj llogaritjeje, dhe përfshin shpenzimet e bëra nga qeveritë në të gjitha nivelet.

Komponenti i Administratës Publike përfshin të gjitha shpenzimet e qeverisë për mallra dhe shërbime, si dhe pagesat e pensioneve, sigurisë sociale dhe papunësisë.

Komponenti e Administratës Publike në PBB duke përdorur këtë metodë përfshin shpenzimet për zëra si arsimi publik, mbrojtja, kujdesi shëndetësor, infrastruktura dhe siguria publike.

Për vitin 2022 të dhënat nga metoda e shpenzimeve në PBB tregojnë se, kontributi i Administratës Publik ishte negativ dhe se qeveria ka injektuar më pak para për shërbime publike se sa në vitin 2021.

Rolin kryesor duket se kanë pasur zërat e shpenzimeve kapitale, ku injektimet e qeverisë në vitin 2022 ishin rreth 12 për qind më të ulëta se me 2021.

Shpenzimet për shërbimin e borxhit dhe interesat e tij kanë ulur kapacitetin e qeverisë për të shpenzuar në zëra produktivë.

Të dhënat historike tregojnë se, zakonisht qeveria ka një ekspansion më të lartë në ekonomi ku ka zgjedhje, pasi gjatë këtyre periudhave ka më shumë gjasa të ketë indeksime rrogash, pensionesh dhe çelje fondesh për investime.

Në total, konsumi final në vend u rrit me 5.36%, nga 5.06% vitin e kaluar. Kontributi negativ i qeverisë ndikoi në rritjen e ulët të konsumit në vend. Konsumi i popullatës u zgjerua me 7.17% në 2022, nga 4.7% vitin e kaluar. Në të kundërt, konsumi i qeverisë ra me 4.85%, pas rritjes me 7.77% në 2021./ MONITOR


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *