Qeveria duket se është tërhequr nga vendimi për të vënë fashën e energjisë për konsumatorët familjar në mënyrë që të ulet konsumi i tepërt i energjisë.
Në një udhëzim të fundit qeveria parashikon identifikimin e konsumatorëve të mëdhenj të energjisë, dhe ky informacion do të sigurohet nga Agjencia për Eficiencën e Energjisë.
Pjesë e listës që do të krijohet nga agjencia do të jenë, konsumatorët familjar, bizneset por edhe institucionet.
Në udhëzimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë thuhet që agjencia ka detyrim që të kërkojë nga OSHEE dhe OST të dhëna mbi klientët që kanë pasur një konsum mbi 0.5 milionë kilovat dhe për ata që e kanë pasur mbi 1 milionë kilovat. Këto të dhëna duhet të sigurohen brenda datës 31 dhjetor të çdo viti.
Të gjithë këta konsumator do të përfshihen në regjistrin që do të krijohet, për të pasur një panoramë mbi konsumin e energjisë, por edhe për të marrë masa për të reduktuar konsumin, në kushtet kur vendi është i varur nga importi.
Pas mbledhjes së këtij informacioni AEE-ja kërkon brenda muajit shkurt të çdo viti nga konsumatorët që kanë konsumuar 0.5-1 milion kilovat gjatë vitit paraardhës të paraqesin të dhëna lidhur me konsumin e burimeve të tjera të energjisë, nëse kanë, për vitin paraardhës. Konsumatorët i dërgojnë të dhënat e kërkuara brenda datës 31 mars. Po ashtu pjesë e informacionit mund të bëhen edhe konsumatorët jo të mëdhenj.
Këto masa duket se po merren në kuadër të planit të kursimit të energjisë elektrike, por që nuk përjashtohet mundësia që për këta konsumator të vendoset një tarifë e veçantë energjie, siç u propozua për fashën 800 kilovat.
A u tërhoq qeveria nga fasha 800 kilovat?
Në mes të krizës së energjisë në vitin e kaluar, qeveria e vendosur tentojë t;ju rrisë çmimin e energjisë familjeve në vend. Me argumentin se kostot e energjisë ishin të papërballueshme për buxhetin e shtetit dhe se qytetarët duhet të kursenin energji.
Propozimi i qeverisë ishte që prej 1 tetorit të vitit të kaluar të gjitha familjet që konsumonin mbi 800 kilovat në muaj do të paguanin 42 lekë për çdo kilovat mbi këtë shifër. Ndërsa për familjet që nuk e kalonin fashën 800, çmimi nuk do të ndryshonte dhe ata do vazhdonin të paguanin 9.5 lekë për kilovat.
Sipas qeverisë nga ky vendim prekeshin vetëm 4% e konsumatorëve familjar. Por nga ana tjetër opozita dhe Konfindustria deklaronin se nga ky vendim do të prekeshin deri në 130 mijë konsumator.
Kundërshtimi i vazhdueshëm i kësaj nisme i cili i ekspozonte qytetarët ndaj një fature tejet të kushtueshme, duket se ka bërë që qeveria të tërhiqet nga vendimi që u miratua nga ERE.
Rrjeti i pa sistemuar i transmetimit të energjisë!
Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë në vitin e kaluar 19.7% e energjisë së prodhuar ka humbur në rrjet.
“Humbjet e përgjithshme të raportuara nga shoqëria për vitin 2022 arrijnë në 19.7%. Niveli i Humbjeve në sistemin e transmetimit për vitin 2022 është 199,994 MËh”, thuhet në raportin e ERE.
Por nëse do të ishte investuar me efektivitet dhe humbjet në rrjet do të reduktoheshin në shifra poshtë 10% vendi nuk do të ekspozohej as ndaj çmimeve të luhatshme në bursën e energjisë, pasi nevoja për import do të ulej në maksimum. Mirëpo mjafton të bësh një vëzhgim nëpër rrugët e vendit, madje edhe në kryeqytet ku përqendrohen kryesisht investimet, rrjeti i energjisë është skandaloz.