Këshilli i Ministrave i hapi rrugën një koncesioni të ri të mërkurën, përmes autorizimit të Ministrinë e Financave si autoritet kontraktor për të ndërmarrë procedurat për dhënie me koncesion/PPP për projektin e propozuar nga Agjencia Kombёtare e Shoqёrisё sё Informacionit “Për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI)”.
Infrastruktura e çelësit publik (PKI) është një kombinim i politikave, procedurave dhe teknologjisë së nevojshme për menaxhimin e certifikatave dixhitale për bizneset dhe individët, me qëllim besueshmërinë e kësaj certifikate në komunikimin elektronik dhe çdo veprim që kryhet në formë dixhitale. Në projektbuxhetin e vitit 2022, ky koncesion parashikohet në vlerën e 208. 8 milionë lekëve.
Ky shërbim ofrohet sot nga Agjencia Kombёtare e Shoqёrisё sё Informacionit, AKSHI dhe dhënia e tij me koncesion drejt një kompanie private ngre shqetësim tek ekspertët e ekonomisë për sigurinë dhe rritje të kostove.Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike, i tha BIRN-it se ky koncension është një hap i parakohshëm për Shqipërinë, krijon monopol dhe rrezikon edhe më tej sigurinë kibernetike.
“Deri sot i kemi besuar shtetit, AKSHI-it, me gjithë problemet që ka,” tha Preçi, ndërsa shtoi se kur ky shërbim t’i kalojë një kompanie private, “sistemi bëhet më vulnerabël”.
“Nga pikëpamja ekonomike rrit kostot dhe bashkë me rritjen e kostove në buxhet krijon mundësinë për akses të paligjshëm në sigurinë kibernetike,” shtoi ai.
Koncensioni për “Çelësat publikë” ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2022 bashkë me 6 koncensione të tjera potenciale me vlerë të parashikuar prej 214 miliardë lekësh [1.7 miliardë euro]. Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj gjatë mbrojtjes së buxhetit në Kuvend i konsideroi ato si potenciale dhe ende ‘pa efekte buxhetore’./ BIRN