Qeveria kërkon zgjatjen e masave emergjente për energji

Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit që të zgjasë masat emergjente për furnizimin me energji edhe për një muaj, me qëllim, që siç tha ekzekutivi, të ketë “normalizim të plotë” të gjendjes me rrymë.

“Zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes së kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes së mbajtur më 23 shtator.

Sipas Qeverisë, mungesa e energjisë është për shkak të vjetërisë së termocentraleve dhe kapaciteteve të pakta gjeneruese, por edhe “investimeve parciale në këtë sektor dhe rritjes së vazhdueshme të konsumit”.

Më 22 shtator, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), tha se me rënien e temperaturave, ditëve të fundit kërkesa për rrymë është rritur për 12 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Me qëllim të kursimit të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës, në gusht kishte miratuar masat emergjente që përfshinin masat e kursimit të energjisë elektrike nga të gjitha institucione, ndalimin e përdorimit të rrymës për mihjen e kritpovalutave dhe mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Tregut (KOSTT), që ky operator të ndërmarrë masat e duhura për të ofruar siguri të sistemit elektro-energjetik.

Së fundmi, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës. Ekzekutivi u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë rrymën gjatë dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të ulet.

Po ashtu, Qeveria së fundmi miratoi një vendim që i obligon institucionet publike, qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë “racionale në konsumim të energjisë”, me fokus të veçantë te ngrohja dhe ndriçimi.

Ndërkaq, më 20 shtator, Kosova ndaloi eksportin dhe ri-eksportin e produkteve të drurit që përdoren si lëndë djegëse.

Edhe Kosova është prekur nga kriza energjetike që ka mbërthyer Evropën. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë./REL

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *