Qeveria miraton hapjen e tre ambasadave shqiptare të reja

Shqipëria do të hapë tre ambasada të reja në tre shtete të botës, në Kenia, Indi dhe Indonezi. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave. Ka qenë ministri për Evropën dhe Punët Jashtme, Igli Hasani, i cili përmes një reagimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur lajmin.

Ai shprehet se hapja e tre ambasadave të tjera, do të bëj të mundur forcimin e pasaportës shqiptare në botë.

Postimi i plotë i ministrit Hasani:

“Shqipëria do të ketë së afërmi përfaqësitë e saj diplomatike edhe në Kenia, Indi e Indonezi, duke forcuar kështu pasaportën shqiptare në botë

 

Në Këshillin e Ministrave, sot miratuam hapjen e ambasadave në këto 3 shtete, nisur nga objektivat strategjike afatmesme dhe afatgjata, të nxitur nga kërkesa e vazhdueshme, për të qenë edhe më efektivë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kjo nismë u mor nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke vlerësuar kontributin dhe peshën specifike që çdo vend projekton në arenën ndërkombëtare dhe rolin gjithnjë e më të madh të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.

 

Turizmi dhe zgjerimi i hartës së lëvizjeve të shtetasve shqiptarë për qëllime turistike, është një tjetër argument, mbi të cilin MEPJ u mbështet për propozimin e hapjes së 3 përfaqësive të reja. Pas vendimit të sotëm, numri i përfaqësive shqiptare në botë shkon në 60, ndër të cilat 44 ambasada, 9 konsullata të përgjithshme dhe 9 misione të përhershme”, shkruan ministri Igli Hasani.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *