Këshilli i Ministrave pritet të kalojë së afërmi projektligjin e ri “Për fondet e pensionit privat” dhe t’ia propozojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimit i është drejtuar me një letër Këshillit të Ministrave, ku ka kërkuar disa ndryshime nga variant i fundit i dërguar prej Ministrisë së Financave.
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga shoqëritë administruese të fondeve është e drejta e punëmarrësve për të tërhequr kontributet e paguara nga punëdhënësit. Sipas projektligjit, periudha përpara se punëmarrësit t’i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara nga
punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se dy vite. Në rastet kur anëtari i një fondi të mbyllur ndërpret marrëdhënien e punës me sponsorin (punëdhënësin) që ka krijuar fondin me pjesëmarrje të mbyllur, projektligji i njeh atij të drejtën që të ruajë cilësinë e anëtarit të fondit edhe pa kontribuar, deri në momentin e lindjes të drejtës për pension ose të transferojë vlerën e aseteve në llogarinë personale tek një fond pensioni tjetër.
Shoqata propozon që kontributet e bëra nga punëdhënësi për punëmarrësin nuk duhet të tërhiqen ose të transferohen deri në plotësimin e kushteve për përfitim pensioni, ose të paktën të përcaktohet një afat më i gjatë, minimalisht 10 vjet, përpara se punëmarrësit t’i njihet kjo e drejtë.
Shoqëritë argumentojnë se kontributet e bëra janë të destinuara për moshën e pensionit, rrjedhimisht njohja e të drejtës së përfitimit të kontributeve të paguara nga punëdhënësi duhet të përkojë me plotësimin e kushteve për përfitim pensioni. Sipas tyre, e drejta e punëmarrësve për t’i tërhequr në çdo kohë kontributet e punëdhënësit (qoftë edhe me penalitete) e vështirëson promovimin e këtyre skemave tek bizneset.
Një propozim tjetër i rëndësishëm i shoqatës lidhet me shkallën e tatimit të pensionit privat në përfitim. Aktualisht, ligji parashikon që pensioni privat në përfitim të tatohet i plotë, me shkallën në fuqi të tatimit mbi të ardhurat personale. Projektligji i përgatitur, sjell një përmirësim në këtë drejtim, sepse parashikon tatim vetëm për pjesën e të ardhurave nga investimit, duke përjashtuar kontributet. Megjithatë, shoqëritë e sektorit kërkojnë që norma e tatimit për kthimin nga investimi të jetë më e ulët, në masën 10% dhe jo 15%.
Projektligji gjithashtu e kushtëzon përjashtimin nga tatimi të kontributeve vetëm në rastet kur përfituesi zgjedh t’i tërheqë përfitimet me pagesa periodike, por jo në rastet kur e tërheq fondin e tij të pensionit të mënyrë të menjëhershme. Shoqatapërfaqësuese e shoqërive administruese kërkon që ky difrencim të hiqet dhe që përfituesi të përfitojë përjashtim nga tatimi i kontributit, pavarësisht nga mënyra si i tërheq fondet e veta.
Kërkesë tjetër e shoqërive administruese është që ato të jenë përfituese të penaliteteve në rastet e tërheqjeve të parakohshme nga anëtarët. Sipas projektligjit të propozuar nga qeveria, penalitetet e aplikuara për tërheqje të parakohshme i kalojnë fondit të pensionit dhe jo shoqërisë administruese.
Projektligji përcakton se vlera e penaliteteve të tërhqjes rregullohet me akte nënligjore të miratuar nga AMF, siç ndodh edhe me ligjin aktualisht në fuqi. Rregullorja aktuale “Për penalitetet e tërheqjes” parashikon penalitetet të përshkallëzuara në varësi të kohës të tërheqjes në raport me fillimin e derdhjes së kontributeve. Penalitetet fillojnë nga 2% dhe mund të arrijnë deri në 20%, për tërheqjet e aseteve brenda pesë viteve të para të derdhjes së kontributeve./Monitor