Në fillimin e vitit qeveria ka rishikuar me akt normativ buxhetin e shtetit. Në ndryshimet e reja shihet se Buxheti I Shtetit pritet të mbledhë më shumë të ardhura seç kishte parashikuar, rreth 687 miliardë lekë në total apo 11 miliardë lekë më shumë.
Ndërkohë do të rriten edhe shpenzimet publike me 7 miliardë lekë, ndërsa ulet deficiti dhe borxhi publik
“Në nivelin makro, vijon konsolidimi fiskal, duke projektuar një trend rënës të borxhit publik, si edhe një deficit 4 miliardë lekë më të ulët sesa projeksioni fillestar i buxhetit”, tha Mete.
Akti normativ parashikon dhe një Garanci Shtetërore për sektorin e fasonit i cili prej një viti po vuan pasojat e rënda të humbjes së tregjeve dhe forcimit të lekut
“Po mbështesim edhe një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”, tha ministri.