Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se premtimet e qeverisë për pagat minimale janë bërë për qëllime elektorale.
Në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ ajo u shpreh se kodi zgjedhor nuk lejon asnjë politikë të re taksash përpara zgjedhjeve.
Sipas saj, nëse do të ketë rritje të pagave minimale, kjo duhet të bazohet në një llogari ekonomike se sa është produktiviteti dhe niveli i tyre në treg.
Reagimi i Tabakut:
Pensionistët, punonjësit, familjet e kushdo të mbajë frymën se një herë në dy vjet mendon qeveria e pakicës për to!
Mbasi kishim një vit pa dëgjuar e folur askush nga qeveria për ekonominë këto ditë si i takon periudhës parazgjedhore dëgjuam për pagën minimale, për kufirin e pataksueshëm dhe për shpërblimin e pensionisteve!
Si fillim; kodi zgjedhor nuk lejon asnjë politikë taksash të re përpara zgjedhjeve; asnjë mbështetje financiare shtesë; asnjë shpërblim i cili e lidh votuesin/qytetarin me shtetin dhe në historinë e 10 viteve të fundit këto metoda janë perfeksionuar për të përdorur burimet shtetërore për votën!
Se dyti; buxheti i shtetit është kthyer në një letër pa vlerë që ndryshon sa herë i teket qeverisë duke humbur çdo koncept planifikimi; strategjie e vizioni! Çdo vit 44 përqind e buxhetit shpenzohet në dhjetor; 50 përqind e të ardhurave mblidhet në dhjetor e si rregull buxheti ndryshon të paktën 6 herë!
Së treti; po, çdo parti politike e ka në program rritjen e pagës minimale, ky besoj është qëllimi i politikës të të rrisim nivelin e jetesës; të krijojë e të prodhojë ekonomia por që kjo të ndodhë rritjen e pagës duhet ta drejtojë tregu jo politika e zgjedhjet!
Paga minimale duhet të rritet bazuar në një llogari ekonomike se sa është produktiviteti, sa është niveli pagave në treg; e jo të bazohet në qëllimet elektorale.
Rritja e pabazuar e pagës minimale do të rrisë informalitetin, si taksa progresive e si shumë politika të tjera të këtyre viteve! Do të rrisë akoma më shumë inflacionin për ato që e kanë të pamundur të mbijetojnë do të ketë efekt me të lartë; do rrisë kostot te biznesi dhe mbi të gjitha do të marre 16 mln euro më shumë nga shtresa e mesme (paga minimale është reference për pagesat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe për pagat me të larta)
Prandaj çdo politikë e tillë duhet bazuar në treg!
Po në një ekonomi që nuk prodhon, që ka model zhvillimi ndërtimin; që nuk ka garë e meritokraci në punët publike; në një ekonomi që ka nxitur e rritur pabarazinë është e tepërt të kërkosh normalitet.
Cdo politike duhet të jetë e bazuar në atë që kërkon tregu; dhe jo në fitimin e garave imagjinare me rajonin, i cili ka kohë na ka lënë pas!