Të moshuarit në Shqipëri janë kategoria që e vuajnë më shumë rritjen galoponte të çmimeve për shkak se pensionet e tyre janë nën minimumin jetik. Tashmë qeveria shqiptare ka hequr edhe paketën e ndihmës sociale (30 mijë lekëshin e vjetër) që merrnin pensionistët dhe shtresat në nevojë për të përballuar rritjen e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë. Të moshuarit i bëjnë thirrje të rritë pensionet pasi jetesa është e papërballueshme.
“Bonusi duhet të zgjatej më shumë, kjo bandë gjakpirëse është në krye të shtetit shqiptar. 170 është i imi 120 mijë i gruas plus ndonjë ndihmë që na japin fëmijët”, u shpreh një i moshuar.
“Unë jam emigrant cmimet këtu janë më të larta se në Amerikë. Do rri edhe 15 ditë dhe do të iki, këtu është shumë shtrenjt dhe ambienti nuk ka ndryshuar sic e kam lënë para 30 vitesh. Fëmijët i kemi siguruar jashtë shtetit, ne pleqtë edhe mund të kthehemi por ka shumë probleme me ato që jemi mësuar andej ne. Këtu është e keqja sepse nuk vendosen etiketa e cmimeve por e merr sa thotë pronari. Me 125 mijë të vjetra është e papërballueshme, sidomos në këtë periudhë që janë rritur shumë cmimet. Nuk shijkoj ndonjë shpresë që do të rregullohet”, tha një pensionist.
“Jetesa skandaloze. S’kemi çfarë i themi qeverisë, të dy qeveritë janë zero për ne. Nuk duhet të ketë pension nën 200 mijë lekë sepse është jetesa shumë e shtrenjtë. Është shumë e vështirë të përballosh jetesën, fëmijët na ndihmojnë, po nuk pate fëmijët me këtë pension ke mbaruar fare. Nuk kemi shpresë te qeveria fare”, u shpreh qytetari./faxweb