Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka, është zëri i radhës që ka reaguar për heqjen e pasaportave diplomatike për lojtarët e Kombëtares. Ajo sqaron se pasaportave diplomatike iu ka mbaruar afati, e për këtë arsye duhet që të dorëzohen, siç ndodh edhe me dokumente të tjera në Republikën e Shqipërisë.
Xhaçka nënvizon se djemtë duhet të zbatojnë rregulloren, dhe të dorëzojnë pasaportat deri me datë 30 qershor. Por në të njëjtën kohë, vë në dukje se asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar.
Në vitin 2016, Shqipëria arriti të bënte historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në finalen e një Europiani. Dhe atë vit, shteti shqiptar dekoronte të gjithë stafin e Kombëtares me pasaporta diplomatike në shenjë mirënjohje.
Statusi
Shumë zhurmë për asgjë! Vlefshmëria e pasaportave diplomatike mbaron, siç mbaron vlefshmëria e çdo dokumenti identifikimi që përdoret në shtetin shqiptar, qofshin këto pasaporta apo karta identiteti.
Ajo që nuk ka mbaruar e nuk do të mbarojë kurrë është mirënjohja e çdo shqiptari dhe e shtetit shqiptar për ekipin e heronjve të kombëtares që u kualifikuan e luajtën me dinjitet në Europianin 2016, duke i bërë krenarë shqiptarët kudo që jetojnë. Është kjo arsyeja, përse djemtë tanë, sipas rregullave duhet të dorëzojnë deri me datë 30 qershor pasaportat e marra asokohe, por ama asnjë prej tyre nuk do të humbasë statusin e fituar me aq të drejtë në 2016.