Qeveria u hoqi pasaportën diplomatike futbollistëve që u kualifikuan në “Euro 2016”. Lidhur me këtë vendim që është marrë më herët, një reagim ka ardhur nga Meta. Shqipëria arriti të kualifikohej për herë të parë në finalet e një Kampionati Europian, pjesëtarët e atij ekipi historik u pajisën me pasaporta diplomatike nga qeveria. Por, në ditën e ndeshjes ndaj San Marinos, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme i dërgoi një shkresë zyrtare FSHF-së, duke deklaruar se të gjithë personat që janë pajisur me një pasaportë diplomatike, duhet ta dorëzojnë brenda afatit të caktuar, që është vendosur në 1 qershor 2021.
Kreu i Shtetit e cilëson si një vendim të pabesë, për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit. Sipas tij, është një sulm i paprecedentë dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.
Presidenti paralajmëron se pas zgjedhjeve të 25 prillit, do të përfundojë koha e ‘vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese’.
Statusi
Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin. Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë. Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese. Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar.