Gjykatat në Sarajevë dhe një spital publik boshnjak u evakuuan të enjten për shkak të alarmeve të rreme për bomba, të fundit nga më shumë se 500 alarme të tillë që vunë në shënjestër gjithashtu qindra shkolla, duke i detyruar ato të mbyllen përkohësisht.
Qindra pacientë dhe anëtarë të stafit mjekësor u evakuuan pasi spitali universitar në qytetin verior të Banja Lukës mori një e-mail që paralajmëronte se ishte vendosur një bombë, tha drejtori i spitalit Vlado Djajic.
Mesazhi kërcënonte se do të “hidhte në erë jobesimtarët” dhe në të shkruhej “Allahu është i madh”.
Pas kontrollit të ambienteve, policia konfirmoi se ishte një alarm i rremë.
Midis institucioneve publike të shënjestruara të enjten ishin edhe Komisioni Kombëtar Zgjedhor dhe disa gjykata në Sarajevë.
Autoritetet thanë se nuk dihen as motivi dhe as autorët e kërcënimeve.
Gjykatat në Sarajevë i përshkruan ato si “terrorizëm”.
E-mailet e dërguara në Republika Srpska erdhën nga një adresë e organizuar nga gjigandi i teknologjisë ruse “Yandex”, i njohur ndryshe si “Google-i rus”, sipas gazetës së përditshme boshnjake Oslobodjenje.
Gjatë bisedimeve të fundit me liderët e Bosnjës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi nevojën për të rritur bashkëpunimin e sigurisë kibernetike me kombin ballkanas.
Edhe Serbia ka marrë gjithashtu një valë alarmesh të rreme për bomba gjatë javëve të fundit, të cilat kanë ndërprerë funksionimin e shkollave./REL