Qumështi pluhur që po shtrenjton të gjithë bulmetrat/ Përpunuesit, propozime për paketën fiskale: TVSH 6% për produktet shtazore

Qumështi pluhur dhe importi i lartë i këtij të fundit (mbi 1000 ton qumësht pluhur në vit), nga importuesit dhe prodhuesit vendas, duket se po bëhet dhe arsyeja kryesore e shtrenjtimit të çmimit të bulmetit.

Prodhuesit kryesor vendas të kompanive më të mëdha të prodhimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit dhe bulmetit në vend, duket se tek qumështi pluhur kanë gjetur lëndën e parë me leverdi për ta.

Por duke kërkuar që të kenë të drejta të importojnë sasi për herë e më të mëdha të qumështit pluhur për të mbuluar gjithë tregun vendas dhe atë të Kosovës, nga ana tjetër grosistët e qumështit, po kërkojnë favorizime pa fund nga qeveria.

Kohët e fundit ata janë angazhuar në një lobim të fuqishëm për uljen e taksave ndaj produkteve të tyre, në një kohë që paralel me këtë po nxjerrin në treg për herë e më tepër produkte vetëm me qumësht pluhur dhe po rrisin njëkohësisht edhe çmimet.

Këto të fundit kanë njohur një rritje konstante gjatë 4 muajve të fundit, ku pas rritjes së çmimit të bukës dhe miellit që u bë në formë karteli nga grosistët e miellit në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, tani të njëjtin shembull po ndjekin edhe përpunuesit dhe tregtuesit e qumështit.

Por këta të fundit nuk kanë preferuar që të merren me Autoritetin e Konkurrencës (që duhet thënë se nuk ja “prish” asnjë kompanie apo grupi kompanish), por kanë preferuar të lobojnë më lart, deri në qeveri.

Kërkesat e tyre janë si për uljen e taksave, heqjen e të gjitha barjerave doganore për importimin e qumështit pluhur, por nga ana tjetër edhe për vendosjen e sanksioneve ndaj fermerëve të vegjël që qumështin nuk pranojnë t’ua shesin atyre, por ta tregtojnë vet nëpër qytete.

Propozimet për qeverinë

Janë disa kompani të mëdha si “Erzeni”, “Lufra”, “Gjirofarma”, “Arla” dhe “Natyral”, por edhe të tjera kompani më të vogla, që po lobojnë pranë qeverisë dhe komisioneve parlamentare.

Propozimet e Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë për ndryshimet fiskale 2022 për heqjen e TVSH-së të rimbursueshme 6%, vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litër në industritë përpunuese, u kundërshtuan nga Shoqata Industria e Përpunuesve të Qumështit.

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës, Donjaldo Hoxha, kërkoi marrjen e masave urgjente fiskale në ndihmë të industrisë, si normë të reduktuar të TVSH-së në 6% për produktet shtazore, 10 lekë subvencion për çdo litër qumësht lope/dele/dhi të dorëzuar nga fermeri në pikat e licencuara të grumbullimit ose fabrikat e përpunimit të qumështit dhe heqjen e akcizës 6 lekë/litër për gazin për industrinë e përpunimit të qumështit.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, tha gjithashtu se, në këtë industri nuk lejohet të përdoret masivisht qumështi pluhur për produktet e bulmetit. Sipas tyre qumështi pluhur në vend përdoret te pijet me bazë qumështi, akulloret, ëmbëlsirat etj.

Projektligji “Për taksat kombëtare” vendos taksë për qumështin pluhur e importuar dhe prodhuar në vend në vlerën 100 lekë për kg.

Kush duhet të kontrollojë produktet bulmetore

Që shqiptarët të ushqehen me qumësht dhe nënprodukte të tij të kontrolluara dhe të përpunuara sipas standardeve të lejuara të ushqimit, është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme në këtë sektor, duke ngritur një grup pune të përbashkët nga AKU (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit), Drejtoria e Tatimeve, Polica Bashkiake dhe instanca të tjera shtetërore me përgjegjësitë përkatëse në ligjin e ushqimit.

Ky grup pune të bëjë të mundur formalizimin dhe standardizimin e të gjitha baxhove dhe njësive të përpunimit të qumështit në vendin tonë.

Por, edhe në rastet kur përdoret, qumështi pluhur është detyrim ligjor që të deklarohet në etiketën e produktit, në të kundërt, çdo prodhues mban përgjegjësi penale para ligjit. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që konsumatori të ndërgjegjësohet dhe të lexojë etiketën kur blenë produktin për të kuptuar se çfarë është duke konsumuar.

Baza dhe bashkëpunimi i shoqatës sonë është i fokusuar te fermerët dhe aq më tepër ju sigurojmë që ne kemi kontrata si industri e përpunimit të qumështit që kemi financuar qoftë si garantë, qoftë si financues të drejtpërdrejtë, fermerë të ndryshëm për të rritur performancën në fermat e tyre.

Nëse qeveria nuk plotëson kushtet e përmendura më sipër fermerët dhe prodhimi i qumështit shumë shpejt do falimentojë.

Fokusi i industrisë së përpunimit të qumështit është prodhimi i fermerit shqiptar, prandaj kërkojmë që të gjitha masat fiskale dhe tatimore dhe mbështetja nëpërmjet subvencioneve të orientohen në nxitjen e prodhimit të blegtorëve shqiptarë dhe rritjes së cilësisë së qumështit të prodhuar dhe përpunuar.

Nëse qeveria nuk plotëson kushtet e përmendura më sipër, do të ketë një përshkallëzim të reagimit tonë.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *