Qytetarët në Turqi kërkojnë lirimin e mjekes/ U arrestua pasi foli për përdorimin e armëve kimike në Kurdistan

 

Mjekë dhe demonstrues protestuan përpara një gjykate në Stamboll para nisjes së procesit gjyqësor kundër presidentes së Shoqatës Mjekësore Turke. Dr. Sebnem Korur Fincanci akuzohet për përfshirje në propagandë në emër të Partisë së ndaluar të Punëtorëve të Kurdistanit. Ajo u arrestua në tetor pasi dha një intervistë gjatë së cilës foli për nevojën e hetimeve serioze lidhur me akuzat se forcat turke mund të kenë përdorur armë kimike kundër forcave kurde në Irakun verior.

Dhjetra përkrahës të presidentes së Shoqatës Mjekësore turke u mblodhën përballë gjykatës dhe kërkuan lirimin e saj. Një vendim në këtë rast mund të merret gjatë seancës së sotme.

“Presim lirimin e menjëhershëm të presidentes sonë, Sebnem Korur Fincanci, e cila po mbahet për shkak të vendimeve që nuk kanë bazë ligjore”, tha nën kryetari i Shoqatës Mjekësore Turke, Dr. Ali Ihsan Okten.

Dr. Fincanci, eksperte mjeko-ligjore, është aktivistja e fundit që ndiqet penalisht sipas ligjeve kundër terrorizmit të Turqisë. Organizatat e të drejtave të njeriut thonë këto ligje po shfrytëzohen për të goditur lirinë e shprehjes.

Nëse shpallet fajtore, ajo përballet me një dënim deri në shtatë vjet e gjysmë burg.

“Unë dua të jem me ta sepse ata mbrojnë gjërat që janë thelbësore për mjekësinë, lirinë e fjalës dhe lirinë për të thënë atë që duhet thënë për shëndetin”, tha Dr. Jacques de Haller, nga Shoqata Botërore e Mjekësisë.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar për abuzimin e vazhdueshëm të Shoqatës së Mjekëve nga autoritetet turke. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe shpalljen e saj të pafajshme sot, sepse nuk ka asnjë arsye pse ajo duhet të mbahet në paraburgim”, tha Dr. Ole Johan Bakke nga Komiteti i Përhershëm i Mjekëve Evropianë.

Akuzat mbështetën në një intervistë dhënë një mediumi pro-kurd, ku Dr. Fincanci dëgjohet duke thënë se ajo kishte analizuar një video, nga e cila mund tpë arrihet në përfundimin se në Irak janë përdorur armë kimike.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi zonjën Fincanci për shpifje ndaj forcave të armatosura të Turqisë dhe për fyerje të Turqisë.

Presidenti turk u zotua se të ndërmarrë veprime për të pastruar Shoqatën Mjekësore Turke dhe organizatat e tjera profesionale nga “mbështetësit e organizatës terroriste”, PKK, siç u shpreh ai./VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *