Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka reaguar në lidhje me abuzimet që bëhen me pronat, kryesisht në pjesën e bregdetit.
Në një deklaratë për mediat, Çela tha se hetimet e ndërmarra për abuzimet duhet të nxjerrin përpara përgjegjësit pasi publiku pret përgjigje.
“Mbeten shumë shqetësuese rastet e abuzimeve me pronat, sidomos me ato në bregdet. Hetimet e nisura duhet të vazhdojnë e të thellohen për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të çdo shkelësi të ligjit. Ndërhyrjet në regjistrat e kadastrës për të cilat ka pasur disa denoncime publike janë tronditëse pasi përveç pasojave që mund të kenë shkaktuar, dëmtojnë thellësisht besueshmërinë e institucioneve përgjegjëse për mbajtjen dhe sigurimin e tyre. Hetimet kanë disa muaj që kanë nisur dhe publiku pret përgjigje të qarta për dëmin dhe autorët. Nuk mund të vazhdohet më me hetime të bujshme që i mbulon pluhuri i harresës. Duhet të dalin përgjegjësit në të gjitha nivelet, kushdo qofshin ata, dhe rezultatet duhet t’i bëhen të ditura publikut”, tha ai.