Shndërrimi i plazhit në zyrën tuaj, tingëllon si ëndërr. Por, mund ta bëni këtë, duke jetuar si nomad dixhital në Europë. Më shumë vende se kurrë, kanë filluar të ofrojnë viza për nomadët dixhitalë, prandaj puna në distancë buzë detit mund të bëhet realitet.
Europa ka një mori qytetesh bregdetare nga ku mund të zgjidhni. Pra, nëse po kërkoni një vend plot diell ndërsa u përgjigjeni e-mail-eve, në vazhdim renditen destinacionet më të mira buzë detit të Europës, për nomadët dixhitalë.
Shijoni një ritëm më të ngadaltë jetese në Shkodër, Shqipëri
Midis Detit Adriatik dhe Alpeve, Shkodra është qyteti më i madh në Shqipërinë Veriperëndimore dhe një nga më të vjetrit në vend.
Ndërsa shumë njerëz zgjedhin të shkojnë drejt kryeqytetit Tiranë, ritmi i jetës në Shkodër është shumë më i qetë. Shumica e njerëzve lëvizin me biçikletë, në vend që të ngasin një makinë, pasi Shkodra ka një histori të gjatë të transportit me dy rrota.
Gjithashtu, ka më shumë mundësi të jeni në gjendje të përballoni marrjen me qira të një prone me pak më shumë hapësirë. Një apartament plotësisht i mobiluar me pamje të mirë, mund t’ju kushtojë deri në 200 euro jashtë qendrës së qytetit.
Shkodra është e pasur me vende të bukura natyrore dhe njihet si porta drejt Alpeve Shqiptare. Vendi ka 14 parqe kombëtare dhe 450 km vijë bregdetare, kështu që nuk do të jeni kurrë larg, si nga deti ashtu edhe nga malet.
Dhe, nëse doni të vizitoni më shumë se një shtet në aventurën tuaj si nomad dixhital, Shkodra është vetëm 30 minuta me makinë larg kufirit me Malin e Zi.
Kaloni nga plazhi në bar në Alicante, Spanjë
Alicante, porta për në Costa Blanca të Spanjës, është i rrethuar nga disa nga plazhet më të bukura të vendit. I ndodhur midis Detit Mesdhe dhe maleve, do të shijoni më të mirën nga të dyja, pavarësisht nëse dëshironi të qëndroni në diell, apo të shkoni për një shëtitje në mal.
Për një vendqëndrim më ekonomik, nomadët dixhitalë duhet duhet të shkojnë në Split, Kroaci
Kur Kroacia lëshoi për herë të parë lejen njëvjeçare për nomadët dixhitalë në vitin 2021, vendi u bë shpejt më i preferuari për punonjësit në distancë me një buxhet të kufizuar.
Megjithëse mund të jetë më e shtrenjtë gjatë muajve të verës, kostoja e jetesës është e ulët në krahasim me Europën Perëndimore, ku qiraja mesatare është rreth 460 € në muaj për një apartament me një dhomë gjumi.
Për shëtitje me diell në ishull, punoni në distancë nga Chania, Greqi
Greqia prezantoi vizat për nomadët dixhitalë vitin e kaluar dhe në 227 ishujt e banuar të vendit, do të gjeni me siguri një vend pranë plazhit nga ku mund të punoni.
Moti i mirë, çmimet e ulëta dhe shpejtësia e lartë e internetit e bëjnë Chania, një qytet bregdetar në anën perëndimore të Kretës, një nga opsionet më të mira për nomadët dixhitalë.
Gjeni një zyrë me pamje të jashtëzakonshme nga deti në Sliema, Maltë
Më moderne se kryeqyteti Valletta, por me të njëjtat pamje të mrekullueshme, Sliema është një zgjedhje e mirë për nomadët dixhitalë në Maltë. Zhytja dhe snorkeling në bregdet janë aktivitete të njohura për vendasit dhe turistët. Në kafenetë, supermarketet e mëdha dhe restorantet, mund të shkohet në këmbë.
Për të shijuar atmosferën e një qyteti të vogël, drejtohuni në Larnaka, Qipro
Në bregun jugor të Qipros, do të gjeni qytetin e tretë më të madh të vendit, Larnaka. Është qytet turistik gjatë muajve të verës, pasi njerëzit vijnë për të notuar në plazhet e shumta dhe për të eksploruar bregdetin, por është shumë më i qetë jashtë sezonit turistik./ Monitor