Ndonëse qytet muze dhe me fluks të lartë turistësh, lagjet periferike të Beratit janë lënë pa invstime. Infrastruktura rrugore e amorizuar, rrugët pa ndriçim, kanalizime dhe trotuare, janë panorama tjetër që të ofron qyteti historik i Beratit. Banorët ankohen për premtimet e pambajtura të kryetarit të bashkisë, ndërkohë pushteti lokal justifikon harresën e këtyre zonave me mungesën e fondeve. Teksa pesë milionë euro po investohen për të ndërtuar një parkim nëntokësor në qendër të Beratit, bashkia e këtij qyteti ka lënë në mëshirë lagjet periferike, ku jetojnë mijëra banorë.
E tillë është lagja “30 vjetori”, zona e ish-pjeshkores apo dhe zona e Zagores në Berat. Rrugë të amortizuara, pa kanalizime të ujërave të larta dhe puseta pa kapak, i gjen rëndom në këto lagje që ndodhen në periferi të qytetit.
Gjatë dimrit, rrugët përmbyten nga uji, duke vështirësuar jo pak kalimin e këmbësorëve dhe mjeteve, ndërsa qytetarët thonë se kanë 25 vjet që nuk shohin asnjë investim nga pushteti lokal.
Syri televizion kërkoi prononcim nga bashkia e Beratit, por jashtë kamerave, zyrtar të lartë të saj, treguan se kanë projekte rehabilitimi për këto zona, por nuk kanë fonde. Dhe deri në gjetjen e tyre, ata që do të vuajnë janë taksapaguesit e kësaj bashkie, qytetarët. /Gaz. A.Hajdari. Red. J.Hoxhaj. Mont. L./syri