Ditën e sotme Qeveria Rama3 u betua para presidentit Ilir Meta dhe zyrtarisht filloi mandati i tretë. Grupi Parlamentar i PD ka reaguar në lidhje me ngjarjen përmes zëdhënëses së PD, Oriola Pampuri.
Pampuri shkruan se qeveria më e korruptuar në Ballkan, bashkëqeverisjen e ka me PPP-në Rama-Doshi-Rakipi, ndërsa i konsideron bajate deklaratat e kryeministrit në mbledhje.
“Propaganda bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan, i darkave te Nusreti dhe hoteleve 700 euro nata, shfaq si risi kodin e etikës që qysh prej 2013-ës përdori për t’u hedhur hi syve, qytetarëve. Të gjithë e mbajmë mend me sa ‘etikë’ u ngrit sistemi nepotik në qeveri, me sa ‘etikë’ vëllezër e kushërinj ministrash gëzuan paprekshmërinë për t’u kthyer në zota të drogës dhe trafiqeve, duke dëshmuar se fjalët e shumta mbi etikën fshihnin pikërisht mungesën e saj, pasi si atëhere edhe tani, PPP-ja Rama, Doshi, Rakipi, bashkëqeverisjen, e ka me krimin dhe kundër interesave të shqiptarëve.”
/Priza.al/