Kryeministri Rama ka hedhur akuza të forta ndaj opozitës, teksa ushpreh se universitetet në kohën e drejtimit të PD u organizuan për të kryer rrjepjen e dytë më të madhe shtetërore të familjeve shqiptare, pas asaj të firmave piramidale. Gjatë prezantimit të programit për Arsimin, ai tha se ndryshe nga koha e qeverisjes së PD, askush nuk i lëviz dot mësuesit nga vendi i punës për dikë me lekë, apo mbiemër të njohur.
Po kështu Rama bëri një paralelizëm edhe me nxënësit, të cilët nuk mund të zënë një vend në universitet, vetëm se janë fëmijë politikanësh apo VIP-ash. Kreu i qeverisë nënvizoi ndër të tjera se sistemi i hyrjes në universitet është i pamanipulueshëm. Kryeministri u ndal edhe tek universitetet private tashmë të mbyllura, ndërsa me krenari tha se studentët nuk hyjnë në auditore false, por në universitete të akredituara ndërkombëtarisht. Dhe ajo që është më e rëndësishme, kemi hyrë në fazën e hapjes së programit të studimit, sipas nevojave të tregut.
“Askush sot nuk i lëviz dot mësuesit që vendin ta zërë dikush me lekë, apo me një mbiemër të njohur. Jam shumë krenar që kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet, nuk ka shans të hyjë. Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani, nuk ka shans ta parakalojë. Pasi sistemi i hyrjes në universitet është i pamanipulueshëm.
Ka shumë si këta që u hodhën përpjetë kur ne imponuam këtë sistem të ri hyrës. Asnjë ankesë nga të interesuarit, nga maturantët fitues. Nuk ka kënaqësi më të madhe se sa të shohësh kur fëmijët e Republikës nuk ndahen më deri kur ne erdhëm në drejtimin e arsimit, në të pasur dhe të varfër. Dhe hyjnë në auditore vetëm me forcat e tyre. Nuk ka forcë që e ndalon këtë.
Nuk hyjnë në auditore ‘Vitrinash’ të rreme apo ‘Kristalesh’ false, por në universitete të akredituara ndërkombëtarisht. Sot kemi hyrë në fazën e hapjes së programit të studimit, sipas nevojave të tregut. Shqipëria duhet t’i japë të rinjve një perspektivë punësimi.
Ne e kthyem drejtimin e arsimit profesional, dhe e bëmë këtë në kushtet kur arsimin profesional e gjetëm në varr. Programet profesionale janë me prioritet kombëtar, dhe do i çojmë në një nivel tjetër. Shqipëria do mbushë boshllëkun e frikshëm që krijuan vitet jo shumë të largëta”, tha Rama.