Nga Pogradeci ku ndodhet i shoqëruar nga ministrja Manastirliu për të inspektuar procesin e vaksinimit, Rama ka zbuluar se gjatë javës pritet një tjetër sasi e konsiderueshme vaksinash. Në një prononcim për mediat, ai pohoi se askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar ndërsa po ecet me ritme të larta.
“Nëse nuk bëjmë edhe vaksinim edhe distancim bashkë, kjo luftë bëhet më e vështirë. Një parti si e jona mund të mbledhë njerëz masivisht, por kjo është papërgjegjshmëri. Këtë javë do kemi një lajm tjetër për një sasi të konsiderueshme vaksinash të tjera. Po ecim me ritme shumë të larta, askush nuk do të mbetet pa u vaksinuar”, tha Rama.
Nga ana tjetër ministrja Manastirliu u shpreh se po vijon vaksinimi për të moshuarit +70 vjeç dhe efektivët e policisë.
“Ka përfunduar vaksinimi i arsimtarëve të arsimit publik dhe jopublik. Mjekët dhe infermierët kanë marrë dozën e dytë dhe ka përfunduar si proces. Në shkallë vendi në total jemi në nivel 192 mijë të vaksinuar deri dje. Sot do të arrijmë në 200 mijë të vaksinuar”, tha ajo.