Në një komunikimin për shtyp, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar ngritjen e një sistemi të prokurimeve publike, të tillë ku nuk mund të penetrojë asnjë faktorë i jashtëm. Në fjalën e tij, në prezantimin e paketës së re ligjore të prokurimeve publike, kreu i qeverisë deklaroi se ky sistem duhet rrethuar nga një mur i lartë.
Më tej, kryeministri deklaroi se ky shtet duhet të kalojë në një nivel tjetër sa i përket fushës së prokurimeve publike, ku çdo institucion të funksionojë si hallkë dhe jo si bajrakë. Sipas Ramës, çdo shkelje dhe abuzim me tenderat, do të shkojë në SPAK nga godina e Kryeministrisë.
“Ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike, duke bërë disa gjëra të thjeshta. Në radhë të parë, duke garantuar që çdo institucion funksionon si hallkë, jo si bajrakë. Duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë jo 90%, por 1005 i garantuar. Rekomandimet e prokurimit publik nuk janë as në Bibël, as në Kuran, por janë rekomandimet që mund të diskutohen, ndaj të cilave mund të reagohet në mënyrë profesionale, por ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhër, sa mos të ketë fare përgjigje, a thua se Agjencia e Prokurimit Publik mbyll letra në shishe dhe i hedh në det, që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë cështje indiferentët përkatës ta shpjegojnë, duke marrë avokatë me vete.
Janë disa objektiva lehtësisht të realizueshëm, nëse i gjithë sistemi i prokurimit konsolidohet në një proces, ku afatet janë të padiskutueshme. Jo afatet ligjorë të tenderave, se ato janë të padiskutueshme, por afatet në trajtim, kthim përgjigje, ndërveprim brenda institucioneve, në krijmin e një garancie për të gjithë operatorët, që loja me afatet nuk funksionon më. Na duhet të rrisim konkurrencën dhe kjo kërkon rritjen e besimit, pasi pjesëmarrja mbetet relativisht e ulët. Duhet një punë e posaçme dhe në këtë pikë titullarët e ministrive duhet të insistojnë për të rritur kapacitetet teknike, sepse një pjesë e gjërave që ndodhin në proces dhe që nuk garantojnë cilësi është paaftësi, si dhe për të rritur përgjegjshmërinë e autoriteteve kontraktore në planifikim, organizim dhe zhvillim procedurash. Shmangja e kritereve të qepura me dorë, që kufizojnë konkurrencën, me paketën e re ligjore është mundësuar të adresohet me efikasitet, duke vendosur detyrimin e institucioneve që procesverbalin ta publikojnë bashkë me dokumentet e procedurës.
Një tjetër element shumë i rëndësishëm, ku përmirësimi është i pamjaftueshëm, është zbatimi i kontratave. Një kontratë e zbatuar keq hedh në erë edhe një proces të zhvilluar mirë. Do t’iu inkurajoja publikisht që të njiheni me detaje, me paketën e re ligjore, dhe të gjithë të jenë të vetëdijshëm që me ligjin e ri titullarët janë përgjegjës direkt për menaxhimin e fondeve. Numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim, dhe në këtë rast ministritë kanë shembullin më domethënës të suksesit. Falë angazhimit të ministrave personalisht, ku së bashku kemi vendosur që procedurat pa negocim, që ishin një lukuni e ardhur nga shpellat e të kaluarës, të ktheheshin në histori. Kjo tregon se ku ka vullnet, ka rezultat, edhe aty ku duket sikur janë të gjitha argumentet që rezultati të mos kërkohet, sepse nuk arrihet.
Nëse shohim gjithë ecurinë e prokurimeve nuk ka asnjë krahasim me ‘ku ishin e ku janë sot’, por kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin dhe këtu nuk kemi asnjë shanc që këto llogari t’ia kërkojmë popullit.
Duhet ne të kuptojmë që duhen edhe më pak sec ka raste abuzive që perceptimi jo të mos ndryshojë por të bëhet edhe më i keq. Sepse pritshmëria e njerëzve është më e lartë. Koha për njerëzit si edhe për ne fluturon, s’mund të presim edhe 30 vjet që të shohim një shtet që secili merr atë që i takon nga fondet publike që prokurohen për shërbime e punë publike.
Nuk dua të zgjatem më tej, por dua të nënvizoj se i kemi të gjitha arsyet në nivelin e ministrive e agjencive që të besojmë se mund të bëjmë një suskses në këtë drejtim. Këto arsye gjenden në tabelën krahasimore të nivelit të parë me nivelet e tjera. Tabela thotë se përqëndrimi i vëmendjes dhe ushtrimi i vullntetit nga titullarët e institucioneve kryesore ka hapur rrugë ndryshimi, e pamajftueshme por rrugë e hapur. Ashtu sikundër tabela thotë se kur kalohet në nivelin II, problematika është shumë e ngjeshur dhe duhet adresuar me forcë e me këmbëngulje të madhe.”, deklaroi kryeministri.
/Priza.al/