Kryeministri Edi Rama ka nisur aktivitetin politik ‘Rruga drejt 25 prillit’, ku në fokus janë pagat, taksat dhe biznesi për planin e veprimit të PS në vitin 2021-2025. Ai u fokusua në disa arritje gjatë qeverisjes së tij, duke kërkuar një mandat të tretë, në mënyrë që qeveria që ai drejton të përfundojë projektet e nisura. Kreu i qeverisë dha dhe arsyet pse populli do i mbështesë, me një tjetër mandat. Ai e nisi me reformën e energjisë, reforma e shërbimeve të qytetarëve përmes revolucionit dixhital që po transformon rrënjësisht marrëdhënien e qytetarit me sportelin e shtetit. Po kështu reforma e pronës dhe ajo e drejtësisë. Rama e përfundoi fjalën duke vënë pikat mbi ‘i’, se këto reforma kanë hyrë në rrugë të mbarë.
“Shqipëria duhet medoemos të bëhet zgjedhja e parë e çdo shqiptari. Emigracioni nuk duhet të jetë më zgjedhja e detyruar e askujt. E lehtë dhe shumë e bukur ta thuash, por e vështirë dhe shumë e vështirë ta bësh. Por ne, PS jemi krijuar pikërisht për të bërë gjërat e vështira. Vetë lindja e kësaj force të madhe, kësaj familjeje të madhe politike ka qenë një lindje e vështirë dhe historia e këtyre 30 vjetëve ka treguar se sa herë kjo forcë e madhe politike ka marrë përsipër gjërat e vështira, populli ka qenë gati ta mbështesë.
Sa herë i ka rënë shkurt dhe mendjelehtësisht, u ka bërë bisht të vështirave populli e ka lënë PS-në në baltën e vetë. Sot kur mandati i dytë po mbaron dhe ne duam një mandat të tretë, populli është gati të na mbështesë. Jo sepse ne kemi bërë gjithçka mirë, apo se sovrani nuk ka pakënaqësi ndaj nesh. Krejt e kundërta ka dhe ka sa të duash. Madje e theksoj me të drejtë, por populli është gati të na mbështesë sepse populli e di që ne jo vetëm nuk i kemi bërë bisht gjërave të vështira në këto 7 vjet e kusur në drejtimin e vendit, por punët më të vështira kanë qenë dhe gjëja më e mirë që kemi bërë.
Reforma e energjisë që mbylli humnerën e krijuar nga vjedhja çerek shekullore e dritave, reforma e sistemit të qeverisjes vendore që eliminoi 300 vatra vjedhjesh të pronave dhe shpërdorimit të taksave të popullit përmes 300 komunash.
Reforma e shërbimeve të qytetarëve përmes revolucionit dixhital që po transformon rrënjësisht marrëdhënien e qytetarit me sportelin e shtetit. Reforma e pronës që është futur më në fund në rrugë të drejtë përmes ligjit të ri për pronën, mbështetur qartësisht dhe nga Gjykata Europiane e Strasburgut. Reforma e reformave, ajo e drejtësisë që pas 100 vjetësh ka hapur më në fund shtegun e daljes nga kthetrat e gjykatave të korruptuara nga ideologjia më parë dhe nga paraja e zezë dhe fijet e interesave të lidhura me politikën e korruptuar më pas.
Gjëra të vështira, punë të vështira që po të ishin nisur 30 vjet më parë për së mbari, sot Shqipëria do ishte patjetër shumë më ndryshe. Askush nuk e pati vizionin dhe kurajën për t’i imagjinuar si të duhura dhe jo më për t’i nisur si të mundura. Sot këto reforma kanë hyrë në rrugë, rruga e tyre është e gjatë, e përpjetë, shumë e mundimshme. Por e vetmja rrugë për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër, gjatë kësaj dekade ku kemi hyrë”, deklaroi Rama.