Konferenca e sotme për shtyp e ish-kryeministrit Sali Berisha, në lidhje me vendimin më të fundit të DASH-it për të, ka mbajtur brenda edhe një mori mesazhesh që nisnin që nga ato për Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken, për ndihmësin e tij, Palmer, filantropin miliarder Soros, për Kosovën dhe deri tek Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Por mesazhi më i fortë që ish-kreu i PD-së, i dha sot pasardhësit të tij ishte që ai nuk duhet ta çojë as nëpër mend mundësinë e një marrëveshjeje me Edi Ramën për bashkëqeverisje.
“Për sa i përket një bashkëqeverisjeje PD-PS, do të ishte një fatalitet për Shqipërisë. Shqipërisë i duhen zgjedhje të lira e të ndershme”.
Ky ishte mendimi i qartë dhe i prerë i ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së shtypit pas vendimit të marrë prej Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen e tij “Non-Grata”.
Sa i përket thirrjes së kryeministrit Edi Rama, për bashkëqeverisje, Berisha u përgjigj: “Cilat janë fantazitë e të tjerëve nuk e di, unë shpreha këtë konsideratë dhe ju informova ju për hapin që ndërmora. Bashkëqeverisja fatalitet për Shqipërinë, jam i bindur që nuk i shërben. Shqipërisë i duhen zgjedhje të ndershme dhe jo bashkëqeverisje”.
/Priza.al/