Kryeministri Rama e ka cilësuar si të pajustifikueshme mungesën e etikës së efektivëve të policisë në komunikimin me qytetarët. Këtë deklaratë kreu i qeverisë e bëri gjatë një takimi , ku të pranishëm ishin ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit.
Sipas tij rritja e rasteve të mungesës së etikës është shumë domethënëse për të situatën e përgjithshme. Duke iu uruar punë të mbarë drejtuesve të rinj në qarqe, kryeministri tha se ristrukturimi i policisë do të vijojë edhe në nivel komisariatesh.
“Sot dëshiroj t’ju kërkoj edhe publikisht një sërë shqetësimesh por mbi të gjitha pritshmëritë dhe objektivat të ndara së bashku me ministrin lidhur me punën e policisë. Së pari dua ti uroj punë të mbarë të gjithë drejtuesve të rinj të qarqeve dhe duke shpresuar që këto lëvizje të cilat do të shoqërohen me lëvizje të mëtejshme në të gjithë piramidën e policisë deri në nivelin e komisariateve të vlejnë për një rienergjizim në një fazë të re ku hyn reformimi dhe transformimi i mëtejshëm i policisë.
Padiskutim që policia sot ka jo pak arsye për të qenë krenare lidhur me punën e saj, por nga ana tjetër pikërisht pse policia ka dhënë provën se në këtë vend mund të ketë një polici të standardeve evropiane edhe pritshmëria edhe pakënaqësia e qytetarëve është në një nivel domethënës. Pritshmëria nga njëra anë lidhet me domosdoshmërinë që policia të ecë më shpejt dhe të japin rezultate në çdo hap. Pakënaqësia shkon bashkë me pritshmërinë.
Dua ta nis këtë renditje të problematikave nga raporti i policisë së shtetit me qytetarët që është A dhe Zh e jetës së përditshëm. Është e pajustifikueshme që rastet e referuara të mungesës së etikës në komunikim me qytetarët sidomos nga ana e forcave Shqiponja dhe nga Patrulla e Përgjithshme që shpesh e kapërcejnë edhe vetë rolin e tyre të shënohen si raste të rritura. Rritja e rasteve mungesës së etikës me qytetarët është shumë domethënëse për ta kuptuar situatën e përgjithshme psikologjike dhe nivelin e përgjithshëm të mobilizimit të forcave të policisë që janë në kontaktin e vazhdueshëm me hallet dhe nevojat e qytetarëve,” u shpreh Rama.