Prej ditësh po komentohet gjerësisht në rrjetet sociale e jo vetëm, skandali i mbledhjes së të dhënave të 900 mijë qytetarëve të Tiranës. Një database me të dhënat e mbi 910 mijë votuesve, përfshirë këtu një sërë emrash të njohur, janë të skeduar me preferencat politike dhe shanset se për kë do të votojnë më 25 prill. Regjistri elektronik është shpërndarë në të gjitha degët e PS-së në Shqipëri, dhe të dhënat janë marrë nga e-Albania. Lidhur me këtë çështje, një reagim ka ardhur nga kreu i qeverisë, Edi Rama. Gjatë një takimi me të rinj në Durrës, Rama ka folur për patronazhistët. Rama tha se është deformuar kuptimi i patronazhistit, dhe se PS-ja është një familje e madhe ku qytetarët punojnë vullnetarisht.
“Kanë zbuluar fjalën patronazhist dhe e sjellin vërdallë duke e deformuar kuptimin e saj. Ata nuk e dinë që PS-ja është një familje ku të angazhuarit brenda familjes punojnë vullnetarisht, pas pune, pas shkolle, duke marrë nga koha e tyre e lirë për të mbuluar territorin shpirtëror të këtij vendi për te pasur në komunikim të drejtpërdrejtë njerëz të zakonshëm të vendit.
Beteja e përditshme e PS-së është për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve. Pastaj çuditen sepse shkojnë dhe zbresin në fushën e lojës me atë gafurrjen, të dikujt që mendon që kujton se i takon fitorja dhe se është i fituar. Kur hyn në fushën e lojës me ne, fillojnë edhe kuptojnë se nuk është aq e lehtë. Kur bie bilbili shohin tabelën dhe është 74-78.
Për të gjitha gjërat që kemi bërë, besimin që transmetojmë se PS-ja është e vetmja forcë që mund ta çojë në majë por edhe për faktin se PS-ja nuk është Edi Rama, PS-ja nuk janë disa ministra apo disa deputetë që për shkak të pozicionit janë të ekspozuar. PS është një rrjet i tërë i organizuar njerëzish, mendjesh që janë në të gjithë Shqipërinë. Të angazhuar për ta komunikuar mesazhin dhe për ta marrë rezultatin. U jam mirënjohës të gjithë patronazhistëve dhe aktivistëve të PS-së. Fitorja jonë është një fitore që krijohet nga puna, vendosmëria i gjithë këtyre qelizave të organizimit tonë”, deklaroi Rama.