Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vizituar Muzeun Prado në Spanjë. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama e cila ka zgjedhur të vishet e gjitha me ngjyrë të zezë me një stil mjaft klasik, Rama ka takuar edhe kryeministrin e Spanjës, Pedro Sánchez.
Në pamjet e publikuara nga vetë Rama, shihet se kreu i qeverisë ndahet nga zonja e tij në momentin që futet në muze dhe nis të bisedojë me zotërinjtë e pranishëm në sallë. Më pas ai fotografon pikturat, ndërsa Linda Rama bashkohet me zonjat.
“Me krerët e vendeve të NATO-s në pritjen për darkën e punës së shtruar nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, në Muzeun e famshëm Prado,”- shkruan Rama.
Krerët e shteteve dhe qeverive të NATO-s u mblodhën në Madrid një Samit dyditor ku ditën e djeshme u arrit një marrëveshje me të cilën Turqia dha ‘OK’ për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në aleancë. Ndërkohë ditën e sotme u miratua Koncepti i ri Strategjik për Aleancën, duke përcaktuar prioritetet, detyrat kryesore dhe qasjet e Aleancës për dekadën e ardhshme. Dokumenti e përcakton Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë” për sigurinë e aleatëve, ndërsa trajton Kinën për herë të parë dhe sfidat që Pekini paraqet ndaj sigurisë, interesave dhe vlerave të aleatëve.