Partia Demokratike e quan të paligjshme emërimin e Enkelejd Jotit në krye të Radiotelevizionit Shqiptar. Në deklaratën e shpërndarë nga deputeti demokrat dhe kryetari i Komisionit të Medias Agron Gjekmarkaj, PD-ja e konsideron të parregullt zgjedhjen e Jotit në krye të RTSH-së. Ndër të tjera theksohet se ai nuk ka asnjë përfaqësues të opozitës në Këshillin Drejtues të RTSH-së, organ që zgjedh drejtuesin e RTSH-së.
Partia Demokratike e konsideron të paligjshëm votimin për drejtorin e ri të Radio Televizionit Shqiptar. Këshilli Drejtues nuk ka legjitimitet për të marrë vendime që përcaktojnë kush do të drejtojë median, për te cilën shqiptarët, me apo pa parti, paguajnë taksë. Përsa kohë opozita është e papërfaqësuar në këtë Këshill dhe disa anëtarë të saj janë zgjedhur në parlament pa pëlqimin e PD, ne i konsiderojmë nul të gjitha vendimet e tij. Ligji parashikon që Këshilli Drejtues të jetë i balancuar politikisht në mënyrë që të garantohet jo vetëm përfaqësimi, por edhe pavarësia, integriteti dhe autoriteti i këtij enti publik. Me emërimin e sotëm, Edi Rama e hodhi në erë këtë parim, duke u provuar edhe një herë si armik i ligjit dhe i pavarësisë së medias.
/Priza.al/