Disa ditë më parë spitali Rajonal Memorial i Fierit hapi dyert e tij, dhe sot numëron 100 konsultat e para, 2 operacione dhe 18 pacientë të shtruar.
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një inspektim ditën e sotme në spitalin e ri duke u njohur më nga afër me mënyrën e funksionimit të tij, ku po bashkëpunojnë mjekë shqiptarë dhe turq.
“Jemi akoma të rinj, spital që është ndërtuar në një kohë shumë të shkurtër e kemi bërë hapjen shpejt të spitalit. Pas 2 vjetësh mund dhe të mos e njihni spitalin kryeministër, kaq shumë kemi ndërmend të përparojmë”, iu drejtua drejtori i përgjithshëm i spitalit Ramës, kur ai pyeti “si e shikon shefi këtë punë?”.
Gjatë vizitës së tij nuk munguan as batutat. Rama u ndal në dhomën e një pacienti të sëmurë nga zemra dhe diabeti, i cili nuk i kurseu lëvdatat ndaj kryeministrit, dhe me humor tha “po këtë pse e mbani se ky qenka në super formë”, duke iu referuar mënyrës se si i sëmuri e priti Ramën.
“Unë jam i sëmurë o kryeministër po do shërohem po ti të na rrosh, e stafi juaj, këtu qenka fantastike, qenkan florinj, punëtorë e shumë pastërti”, i tha pacienti.
Ndërkohë që vizitoi qendrën e rezonancës, Rama tha se pacienti që po e kryente vizitën kishte të njëjtin problem si ai vetë. “Hernia diskale, qenka si unë se dhe unë e kam”.
“Ua bëjmë që tani rezonancën, kur të doni”, iu drejtua shefi i përgjithshëm Ramës, gjë që shkaktoi të qeshura.
“Mirënjohës për personelin turk, dua tu them që dhe në diskutimin që kam bërë me presidentin që në fillim kjo s’është thjesht çështje e një spitali apo shërbimi më shumë por transferim i dijes mbi të gjithë e në një farë mënyrë misioni juaj është i dyfishtë dhe për të shërbyer por dhe për t’u përcjellë kolegëve shqiptarë dijen e eksperiencën tuaj, duam që ky spital të jetë si qendër e transferimit të dijes dhe për spitale të tjera”, tha Rama.
Ndërkohë Rama zbuloi detajin që kryeinfermieren e përgjithshme, e ‘njihte’ në rrjetin social Facebook.
Rama: Kjo ishte ajo që e kisha në Facebook unë ë?
Manastirliu: Po, kryeinfermierja