Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në forumin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve listoi bashkitë të cilat kanë histori suksesi në sektorin e pastrimit të qytetit.
Rama u ndal tek bashkia e Himarës, duke përmenduar kryebashkiakun Jorgo Goro, të cilin pak kohë më parë i kishte “tërhequr veshin” për menaxhimin e pastrimit të qytetit. Rama ka ironizuar kryebashkiakun e Himarës, duke theksuasr se ai tashmë është një shembull suksesi, pasi kur kishte qenë në mbledhje kishte “ngrënë dru” publikisht.
“Dua të përmend Himarën, nuk e shoh kryetarin e bashkisë së Himarës, ka rëndësi se dua të përmend si histori suksesi dhe nuk do të çuditesha fare të mos ishte këtu sepse ka qenë gjithmonë prezent kur ka ngrënë dru publikisht, por shembulli i Himarës është një shembull i jashtëzakonshëm. I një zgjimi të befasishëm nga gjumi i kryetarit të bashkisë dhe i një pune që është pasqyrë për t’u marrë shembull nga të gjithë tanimë që tregon se sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie dhe që secili të bëjë punën e vet.
Është e rëndësishme të krijohet një raport pozitiv me të gjithë komponentët në territori. Pogradeci ka qenë një zonë për të ardhur keq, sot është një pasqyre pastërtie. Kamza shëmbëlltyra më dramatike pisllëkut, sot është një pasqyrë pastërtie. Elbasani, falë impiantit të ndërtuar u hoq gjithë fusha mesjetare e plehrave dhe iku dhe reja e zezë e tymit, por edhe falë një organizimi dhe shtrirje të shërbimit në gjithë territorin e bashkisë. Por nuk janë të krahasueshme me Cërrikun dhe Sarandë. Cërriku ka ndërtuar një model i pastrimit të bashkisë. Ajo që ka bërë Cërriku është shumë domethënëse për arsye se tregon vizon dhe lidership”, tha Rama.