Nga 1 janari i vitit të ardhshëm (2022), paga minimale në vendin tonë do të bëhet 32 mijë lekë të reja nga 30 mijë lekë të reja që është aktualisht. Lajmin e ka bërë me dije kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale teksa ka replikuar me komentuesit në lidhje me uljen e tatimit në 13% për pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë. Rama bëri të ditur se nga 1 korriku i vitit të ardhshëm, nuk do të ketë asnjë lloj taksimi për qytetarët që kanë një pagë deri në 40 mijë lekë të reja.
“Këtu flitet për lekë të reja i dashur, prandaj mos i zgjat ato o-te kot, po përqendrohu kur lexon dhe mësoje me këtë rast se paga minimale ne Shqipëri është 30 mijë lekë TE REJA dhe nga 1 janari behet 32 mije lek TE REJA – këmbimin me euro beje vete”, shkruan Rama.
Rama u është përgjigjur akuzave të qytetarëve duke theksuar se sot 97% e shqiptarëve paguajnë më pak taksë mbi të ardhurat personale se sa paguanin deri në vitin 2013, ndërkohë që biznesi i vogël paguan zero taksë mbi fitimin. Ai thotë se kurrë më parë shtresat në nevojë nuk e kanë marrë mbështetjen që marrin sot nga qeveria.
/Priza.al/