Kryetari i PD, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me strukturat në Tepelenë, ku u ndal në problematikat kryesore të qytetarëve dhe situatën ekonomike të vendit.
Berisha tha se qeveria po vjedh qytetarët përmes taksat që paguhen, të cilat përfundojnë në xhepat e qeveritarëve.
Ai tha se kur një hajdut futet në një banesë për të vjedhur, ai urren pronarët e kësaj banese, duke thënë se e njëjta gjë ndodh edhe me Edi Ramën.
“Ai ju vjedh sepse ju urren”, tha Berisha ndër të tjera.
“Do t’u jap disa shifra… nga taksat tuaja atje në Tiranë për fermerin caktohen 48 euro për hektarë, por ku shkojnë? Vetëm 3 euro shkojnë për fermerin, me statistikë zyrtare kjo. 45 euro përfundojnë në xhepat e tyre. Në Kosovë 69 euro përfundojnë në xhepat e fermerëve. Pra merr 23 herë më shumë se në Shqipëri.
Po lexoja një shkrim ku një zonjë thoshte se do emigrojë me dhitë e saj në Kosovë. Ajo qeveri me buxhet sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë, por sot në Kosovë mjeku paguhet dy herë më shumë se në Shqipëri.
Këta qeveritarë vjedhin nga jeta e juaj. Hajduti që futet në një shtëpi për të vjedh, ai urren viktimën e tij, dhe justifikon vjedhjen me urrejtjen që ka ndaj tij. Të tillë janë këta, ju vjedhin se ju urrejnë. Dhe kjo urrejtje bën që Rama të ulet në drekë sikur të ishte i biri i sulltanit të Arabisë Saudite. A mundet të drekojë 10 mijë euro në një drekë? A mundet ministrja e tij dhe porosit biftek 1 mijë euro? A mendoni se kanë ndjenja, mendojnë për fëmijët tuaj, për ju, për socialistët, për demokratë? Rama porosit 4.2 mln euro një vazo druri për kryeministrinë.
Nuk di kryeministër në europë, po as në botë, që të blejë një instalacion druri 4.2 mln euro për zyrën e tij. Ky e bën sepse nuk mendon për ata që nuk mbyllin dot tre vakte, për pensionistët, për të rinjtë që zgjedhin të ikin”, u shpreh kreu i PD.