Ditën e sotme ishte njoftuar se do të mbahej një takim mes kryeministrit Edi Rama dhe ambasadorëve të BE dhe Britanisë, ku do të diskutohej për amnistinë fiskale.
Bëhet me dije se edhe pse Rama i ka thirrur vetë ambasadorët për të dikutuar këtë çështje, ai nuk ka qenë pjesë e takimit, për shkak të ndryshimit të axhendës. Mësohet se në takim ka qenë kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla dhe ministrja e Financave Delina Ibrahimaj.
Takimi ka nisur në orën 09:00 dhe zgjati për rreth 60 minuta, por nuk dihet ende se çfarë mund të ketë diskutuar Balla me ambasadorët e akredituar dhe ministren Ibrahimaj.
Një ditë më parë, Rama u shpreh i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale. Ai tha se nuk do të lejonte asnjë ndërkombëtar që të fyente emigrantët shqiptarë duke vënë në dyshim burimin e të ardhurave të tyre nga puna jashtë Shqipërisë.