Populli shqiptar po mbahet nën presion për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Ndonëse kemi 8 vite që paguajmë një çmim të lartë energjie për shkak të përballimit të situatës në të cilën ndodhemi sot (krizë energjetike) qeveria vazhdon akoma të ‘kërcënojë’ shqiptarët me rritje çmimi.
Enti Regulllator i Energjisë njoftoi më datë 28.10.2022 se nga 1 nëntori çmimi i energjisë elektrike do të rritet për të gjitha ato familje apo biznese që konsumojnë mbi 800 KWH.
Mirëpo, kjo gjë u hodh poshtë nga kryeministri Edi Rama i cili deklaroi se ERE miraton çmimet, nëse do të rritet apo jo i përket qeverisë.
“Ne jemi të vetmit që as kemi rritur çmimin për familjen dhe biznesin e vogël, as nuk kemi vendosur ende asnjë fashë. E vërteta është se ne çmimin e kemi mbrojtur. ERE vendos çmimin, ne vendosim nëse do e aplikojmë tek qytetarët. Ne do të paguajmë diferencën”, u shpreh Rama.
Teksa kryeministri Rama dhe ministrja Balluku presin shi nga qielli dhe i ‘luten’ Zotit, eksperti i ekonomisë Pano Sako e sheh ndryshe këtë situatë.
Në një intervistë për Priza.al i pyetur në lidhje me masat që do e nxirrnin vendin nga kriza, eksperti Sako deklaroi se rritja e çmimit të energjisë është e padrejtë pasi shqiptarët kanë 8 vjet që paguajnë rritje çmimi pikërisht që në momentin që bota të kishte krizë energjetike qytetarët të mos prekeshin nga kjo.
“Sot qeveria vjen dhe flet për rritje çmimi për shkak të rritjes së çmimit që ka ndodhur në bursë, pra në import. Kjo s’është e drejt, pasi shqiptarët kanë 8 vjet që paguajnë një çmim të rritur të energjisë, pikërisht që kur të vinte ky moment dhe bota të kishte një krizë në energji, ne të mos prekeshim nga kjo. Sot vjen qeveria dhe thotë ne nuk e realizojmë dot gjithë prodhimin në vend, na duhet të rrisim çmimin e energjisë. Po lekët e rritjes së çmimit ku shkuan?”, tha Sako.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë reformash duhet të ndërmerreshin për përballimin e krizës, Sako u shpreh se Shqipëria është viktimë e korrupsionit dhe vjedhjes së parave publike. Më tej, ai tha se reformat bëhen para se vendi të preket nga kriza, pasi kur vjen kriza është shumë vonë.
“Shqipëria sot nuk është viktimë e ndonjë reforme të parealizuar që duhet realizuar tani. Është viktimë e korrupsionit dhe vjedhjes së parasë publike. Tani jemi shumë vonë. Tani mund të marrim masa thjesht sa për të ndihmuar ndonjë shtresë të veçantë, po reforma strukturore s’bëjmë dot se e kemi krizën të ulur këmbëkryq. Reformat bëhen para se të vijë kriza, kur vjen kriza është shumë vonë”, tha eksperti.
Përsa i përket masave që qeveria duhet të merrte për biznesin e madh për përballimin e situatës në kushtet kur energjia rritet menjëherë, ekperti Sako deklaroi se biznesi i madh është lënë në dorë të krizës duke u detyruar që të falimentojë për shkak të rritjes së kostos së energjisë. Ai theksoi se qeveria nuk ka një plan sesi këto biznese do të operojnë kur të dalin në treg duke shtuar se duhet ta kishte një të tillë ku tregonte sesi do të furnizoheshin me energji këto biznese.
“Ne sot e kemi lënë biznesin e madh në dorë të krizës totalisht, duke e detyruar të falimentojë për shkak të rritjes së kostos së energjisë. Dhe qeveria ka filluar të liberalizojë ofertën për energji për këto biznese, pa pasur një plan sesi këto biznese do të operojnë kur të dalin në treg të liberalizuar. Thjesht i ka hedhur në det dhe të shpëtojë kush të shpëtojë. Ndërkohë që duhet të kishte një plan sesi do të furnizoheshin me energji këto biznese kur të dilnin në treg të lirë. Me qëllim që të kenë kosto sa më të ulta, se qeveria ka përgjegjësi dhe për ato biznese, se janë biznese shqiptare dhe punojnë shqiptarë dhe aty. Dhe duhet kuptuar që manovrat me garanci sovrane e treguan që nuk funksionojnë. E para se nuk funksionon sistemi, siç u pa dhe me paketat e GS që u dhanë gjatë pandemisë, e dyta kjo nuk është zgjidhje, sepse more një herë, more dy herë kredi, po s’mund të marrësh gjithmonë kredi me GS”, theksoi ai.
Ndërkohë, i pyetur për përballimin e situatës së rritjes së energjisë elektrike, Sako tha që qeveria ka vjedhur e abuzuar me paratë e qytetarëve.
Më tej, ai shton se nëse ato para do të shkonin tek investimet në energji eolike apo fotovolatike ne do të prodhonim vetë gjithë energjinë që na duhej. Por kjo nuk ka ndodhur.
“Zgjidhja do të ishte që reforma të ishte kryer siç duhej dhe paratë mos ishin vjedhur e abuzuar por, të shkonin tek investimet në energji eolike apo fotovolatike dhe ne të prodhonim vetë gjithë energjinë që na duhej. Por, kjo ska ndodhur”, u shpreh eksperti.
Në lidhje me rritjen e fashës së energjisë elektike, ka reaguar edhe Deputeti i PD Edi Paloka.
Në një prononcim për Priza.al, Paloka deklaron se Shqipëria e prodhon gjithë energjinë e nevojshme nga hidrocentralet duke shtuar se siç ka pohuar edhe kryeministri Edi Rama, vendi ynë nuk varet nga gazi rus. Deputeti i PD tha se shqiptarët janë të detyruar të paguajnë më shumë për shpenzimet e luksit të Ramës.
“Shqipëria sot prodhon vetëm nga hidrocentralet, gjithë energjinë e nevojshme për vete. Ne e prodhojmë vetë gjithë energjinë për të cilën kemi nevojë.
Rama me gojën e tij është mburrur pak javë më parë se Shqipëria nuk varet nga gazi rus dhe kjo është nga pak të vërtetat që ai thotë. Përgjigja është e thjesht dhe e qartë: paguajmë sepse këta duhet të vjedhin, paguajmë për luksin e Ramës dhe qelbësirave si ai”, deklaroi Paloka.
Nëse ne nuk jemi të varur nga gazi rus siç deklaron edhe kryeministri Edi Rama, pse duhet që shqiptarët të ‘vuajnë’ pasojat e rritjes së çmimit të energjisë elektrike?
Teksa e gjithë vendi ‘vëlon’ nga kriza për energjetike, rritja e çmimit është në ‘tavolinë të hapur’ dhe tashmë që presim ‘mrekullitë e qiellit’, Rama deklaroi më datë 29.10.2022 se nuk e do diellin.
Ndërkohë, që nëse situata do menaxhohej si duhet edhe dielli do bënte punë por, kështu ndodh kur kryeministri do të mbulojë ‘vjedhjet me shoshë’.
“Unë nuk e dua diellin, dua shiun! Nëse nuk kemi shi, kemi hallin e madh të energjisë elektrike, pasi detyrohemi të dalim në import dhe aty tregu ka ikur fare është çmendur komplet. Na duhet shiu, për të mbrojtur me çdo kusht çmimin e energjisë eklektike për familjarët dhe sipërmarrësit”, deklaroi Rama.
Kujtojmë se Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar më datë 28.10.2022 përmes një deklarate për mediat se në muajin nëntor dhe dhjetor, do të aplikohet çmimi 42 lekë për kilovat mbi fashën 800 KWH.
Ajo çfarë nuk po kuptojmë nga e gjithë kjo është:
Si përfundim do futet në fuqi vendimi apo, do presim kryeministrin Rama t’i “lutet” Zotit që të bjerë shi e mos të miratohet çmimi i energjisë për fashën mbi 800 KWH?/Priza.al