Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video, ku shihet Bajpasi i Shkodrës. Ai e ka cilësuar si një nga punët e bëra nga qeveria e tij, njësoj si rruga nga Shkodra në Theth apo në Velipojë.
Sipas Ramës, projekti i bashkisë nuk ka qene i nevojshëm dhe nuk i ka penguar, ashtu siç po ndodh prej disa kohësh me ujësjellësat e Shirokës e të Zogajt.
“Bajpasi i Shkodrës, një nga punët e bëra nga qeveria jonë, njësoj si rruga nga Shkodra në Theth apo në Velipojë, ku s’ka qenë i nevojshëm projekti i bashkisë dhe ku bashkia s’na ka bllokuar dot për fare, po thjesht ka penguar sa ka mundur, duke na zvarritur për një copë letër; siç po pengon për shembull prej disa kohësh ujësjellësat e Shirokës e të Zogajt, për të cilët janë lidhur edhe kontratat e ndërtimit nga Fondi i Zhvillimit, por Bashkia Shkodër nuk zbardh lejet e ndërtimit sepse si gjithnjë mbron bindjen se etja blu është më e shëndetshme për banorët se sa uji pa ngjyrë”, ka shkruar Rama krahas videos.