Drejtori i Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit, Gjeneral Major Abbas Ibrahim, një nga personat kyç që ndihmoi në riatdhesimin e grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampet e ferrit në Siri, është vlerësuar sot nga kryeministri Edi Rama me “Yllin e Madh të medaljes së Kryeministrit për mirënjohje publike”.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë në kryeministri, gjenerali libanez deklaroi se nuk do kursejmë asnjë përpjekje për të negociuar lirimin e çdo personi të mbajtur peng.
“Profeti Muhamed thotë se kush shpëton një shpirt, një njeri shpëton njerëzimin. Jam i nderuar që gjendem këtu në një tokë, përballë djemve e vajzave të tij, një vend që ruan të drejtat e qytetarëve të tij. Është një nder të marr pjesë në këtë ceremoni për vlerën e lirisë. Shqipëria si shumica e njerëzve ka vuajtur nga katastrofa e terrorizmit në botë. Shqipëria si shoqëri ka paguar një çmim të lartë gjatë 2-3 viteve kur gra e fëmijë u morën.
Shteti mori përsipër përgjegjësitë karshi qytetarëve të vet. Përpjekjet patën sukses për të kthyer gratë e fëmijët. Ka një ditë lirie për të gjithë ne. Është një ditë lirie për Libanin dhe për Shqipërinë. Pavarësisht se kushteve ku ndodhet Libani ai vazhdon të zgjasë dorën drejt miqve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të negociuar lirimin e çdo personi të mbajtur peng, pavarësisht çdo vështirësie, çdo rreziku me të cilin stafi ynë përballet në terren ndërkohë që hyjnë në zona të rrezikshme. Ne kuptojmë se çfarë vlere ka liria. I njohim mirë tragjeditë e arrestimit, frikës dhe burgosjes. Falënderime të ndjera kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve që më nderojnë. Dua t’ia dedikoj Libanit e Shqipërisë dhe gjithë atyre që punojnë për lirinë e njerëzimit. Bëj thirrje që udhëheqësit e botës të përhapin gjuhën e paqes në vend të urrejtjes”, tha gjenerali.