Partia Socialiste po vijon fushatën për zgjedhjet e 14 majit dhe ndalesa e radhës ishte Malësia e Madhe. Kryesocialisti Edi Rama kërkoi nga qytetarët të mbështesin Tonin Marinaj, duke thënë se Shqipëria aktualisht ndodhet në një kthesë të madhe zhvillimi dhe për këtë arsye rrugëtimi i saj duhet të vijojë përpara nën drejtimin e Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Rama respektoi ezanin e hoxhës në qytetin e Koplikut, ndërkohë solli në vëmendje se harmonia fetare në Shqipëria ka qenë dhe do mbetet vlera më e çmuar e vendit. Sipas tij, vendi ynë nuk ka qenë kurrë më parë e vlerësuar në tryezat ndërkombëtare saç është sot.
“Shqipëria gjendet në një kthesë të madhe, dhe e ka të domosdoshme të ecë përpara dhe të mos kthehet kurrë më mbrapa. Kjo zonë e Shqipërisë ka nxjerrë shumë figura të historisë, figura të komuniteti katolik, mysliman, por unë nuk njoh asnjë prej tyre që t’i ketë fryrë përçarjes fetare, përkundrazi prej tyre kam mësuar se shqiptarët janë një dhe se katolikët e myslimanët, në radhë të parë janë shqiptarë, pastaj janë katolikë e myslimanë. Meqenëse hyri në mes falja e hoxhës, e solla këtë. Shqipëria kurrë s’ka qenë me e respektuar në sytë e botës. Nuk ka qenë më e barabartë në tryezë me më të mëdhenjtë e botës”, tha ai.
Kryeministri Rama theksoi se kur në fokus është shërbimi i qytetarëve, Partia Socialiste nuk i ndanë njerëzit sipas bindjeve, por ju shërben atyre pa dallim.
“Për ne nuk ka demokratë dhe socialistë kur është puna për të bërë detyrë, por ka qytetarët”, theksoi ai.
Më tej ai pati një përgjigje për gjithë ata persona, të cilët e akuzojnë kryeministrin se e ka lënë pas dore dhe nuk e do veriun e vendit.
“Unë skam si të mos e dua veriun, sepse unë një pjesë të gjakut e kam nga veriu. Gjyshja ime është nga Shkodra, dhe me traditën e Shkodrës s jam rritur”, shtoi Rama