Kryeministri Edi Rama vijoi fushatën elektorale në Gjirokastër, ku kërkoi votën për kandidatin Flamur Golemi. Teksa po fliste për punët që janë bërë gjatë këtyre viteve, kreu i qeverisë u premtoi qytetarëve më shumë investime në qarkun e Gjirokastrës për katër vitet e ardhshme.
“Dilni masivisht atje (në votime), jepuni fuqinë tuaj dhe në katër vitet e ardhshme do të bëjmë katërfishin e atyre që kemi bërë në të gjitha vitet që jemi duke punuar së bashku. Sepse sot ky qark është i lidhur i gjithi. Sot nisesh për Tepelenë dhe zbret në Detin Jon në një udhëtim të thjeshtë dhe anasjelltas.
Sot kush vjen në Gjirokastër nuk vjen më vetëm në Gjirokastër. Ajo që duhet të bëjmë ne t’i mbajmë sa më gjatë. Të vijnë jo një ditë apo dy por pesë apo gjashtë. E nesërmja, rruga që spo nis më 14 maj është rruga e fuqizimit të ekonomisë të njerëzve të zakonshëm.
Prandaj lërini ndarjet absurde dhe të jemi të bashkuar për të ecur vetëm përpara”, tha kryeministri Edi Rama.