Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, së bashku me drejtuesin politik të qarkut të Tiranës Erion Veliaj kanë nisur fushatën e mbjelljes së pemëve në Kavajë, ku kanë prezantuan për një mandat të dytë Redjan Kralin.
Me sloganin “Kurrë më mbrapa”, Edi Rama iu kërkoi kavajasve mbështetjen, pasi sipas tij kundërshtarët sa herë që e kanë pasur në dorë qytetin e kanë shkatërruar atë.
“Më kujtohet si ishte hyrja e Kavajës kur ne morëm mandatin dhe ashtu ishte e gjithë Kavaja, e kam parasysh gjithë punën, projektet, përpjekjet për të nisur ndryshimin e saj të madh. Na ka ndodhur gjatë rrugës që Kavaja të kthehet në duart e atyre, që në 30 vite nuk kanë mundur që të krijojnë një shembull të vetëm, se dinë që të kujdesen për një bashki, për një qytet, për një fshat.
Të vetmet probleme që patëm ne me Kavajën, kur ishte në duart e tyre, ishin lejet në rërë, lejet e dhëna në kundërshtim me çdo ligj, me çdo interes publik. E vetmja gjë që mbaj mend në ato vite, është sesi bashkia e Kavajës u vu në funksion të një grupi që funksionon si bandë e organizuar, sa herë që kanë pushtet.
Kavaja u kthye te pisllëku, unë do ju them atyre që vazhdojnë për ata, a keni një minimum ndjeshmërie për fëmijët tuaj që i rrisni në këtë qytet?”,- shprehet Rama.