Kryeministri Rama është ndalur ditën e sotme në Kukës dhe ka zhvilluar një takim me qytetarët në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit. Rama u bëri thirrje qytetarëve që më 14 maj të dënojnë me votë ‘zorrën qorre’, duke cilësuar kështu Sali Berishën.
Nga Kukësi, Rama u tha se nuk e kupton se ca lidhje kanë banorët që jetojnë në këtë zonë me Berishën, duke thënë se PD i ka pasur bashkitë e Kukësit, Tropojës me vite, por nuk i kanë zhvilluar kurrë. Kreu i PS tha se zhvillimi erdhi me Partinë Socialiste, e duke u ndalur tek Tropoja veçanërisht, për të cilën thotë se mundësia iu dha për ta zhvilluar për herë të parë pasi PD bojkoti zgjedhjet e kaluara lokale.
“Këtu dua të them disa fjalë se këtu është pak problem sepse njerëzit kanë tendencën të harrojnë. Këtu ka shumë njerëz që nuk e di ç’kanë një lidhje me zorrën qorre që e kanë të vështirë të shkëputen. Nëse historia e ndryshimit do kishte filluar para 4 vjetësh, unë për veten time s’do votoja as Safetin, as Regjën, do thoja ju i bëtë ca punë tani të provojmë këta tjerët. Por historia ka nisur para 33 vjetësh. Këtu vazhdimisht është zgjedh zorra qorre. Faktikisht këto katër vjet ne na është dhënë mundësia, në tropojë për herë të parë, në Kukës për herë të dytë që të tregojmë se cili është dallimi. Tropoja sa ka ndryshuar në këto 4 vite dhe sa është bërë në këto 4 vite, nuk është bërë në 44 vjet më parë. Unë e kam parë Tropojën edhe më para edhe tani. Përpara, madje kur kam vajtur me Rexhën në zgjedhjet e kaluara dhe kur kam folur për destinacion turistik filluan duke qesh edhe socialistët. Sot është destinacion që ka nisur dhe vetëm zhvillohet si i tillë. Mjafton të shkosh në Valbonë, ku sa për kujtesë kur ne kemi marrë detyrën s’kishte rrugë, sot është rruga. Rrugën e Valbonës nuk e bën ata që morën besimin me sy mbyllur, e bëmë ne komunistët”, tha Rama.