Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të disa kompanive dhe institucionesh financiare ndërkombëtare të interesuara për ndërtimin e portit tregtar në Porto Romano.
Gjatë fjalës së tij në mbledhje, Rama tha ndër të tjera se ky projekt ka zgjuar një interes të madh dhe se janë të vendosur për ta jetësuar.
Rama tha se megjithëse në fund do të fitojë vetëm njëra prej kompanive, ata do të përjetojnë një eksperiencë unike në Shqipëri dhe herën tjetër do të vijnë me më shumë siguri e respekt për vendin tonë. Ai foli gjithashtu edhe për një kompani që është duke punuar momentalisht, ku tha se holandezët në përgjithësi janë të shtrenjtë, por sipas tij, punojnë mirë dhe e meritojnë atë që marrin.
“Është fjala për të hapur ekonominë tonë dhe ata që duan të përfshihen në zhvillimet tona ekonomike t’i gëzojnë këto mundësi. Në provën e fakteve do të mund ta shikoni vetë të parët se pse i quaj paragjykime dhe jo perceptime të bazuara në realitetin e përpjekjes për procese transparente dhe me integritet dhe që në fund shpërblejnë ato shtylla që i kanë bërë kompanitë tuaja të jenë me kaq shumë zë. Natyrisht që për ne si vend i gjithë ky është një proces i shtrirë në kohë, vijmë nga një e shkuar që nuk ka qenë aspak bujarë me ne, dhe tre dekada të rrugëtimit tonë në përpjekje për ndërtimin e një Shqipëri moderne dhe ekonomi të hapur dhe konkurruese, mund të konsiderohet shumë por edhe shumë pak si rezultat i matjes së nivelit të eksperiencës.
Eksperienca kaq shumë e nevojshme nuk është në anën tonë, ndaj i jemi referuar ekselencave ndërkombëtare, dhe në këtë rast siç është kompania në fjalë që po punon me kapacitet dhe talent për t’u admiruar. Të jemi të qartë, nuk po punojnë falas, sikundër e dini që holandezët janë sa të zotë aq edhe të shtrenjtë dhe nuk ka të dytë për aftësinë e tyre për të qenë tregtues, por në fund të ditës e meritojnë atë që marrin.
Besoj që kompania është një nga arsyet, në mos kryesorja, që juve keni ardhur këtu me besim. Dua t’ju siguroj që ne jemi shumë të nderuar që ju kemi këtu, unë e kam para listën e kompanive, që kanë një shtrirje gjeografike mbresëlënëse dhe 30 kompani të mbledhura këtu për të parë nga afër dhe bërë pyetjet e nevojshme një projekti si ky i yni na mbushin me optimizëm. Të jeni të bindur se dhe pse në fund një kompani do fitojë, kjo do ndodhë si rezultat i një procesi që juve do t’ju bëjë të riktheheni në Shqipëri me më shumë siguri e respekt seç keni ardhur herën e parë”, tha Rama.