Në ceremoninë e prezantimit të platformës për turizmin veror “TEA”, kryeministri Edi Rama bëri dhe një bilanc të turistëve që kanë vizituar vendin tonë gjatë këtij viti. Kreu i qeverisë, deklaroi se aplikacioni i ri përveçse do të ndihmojë vizitorët me vendet që duan të prekin, do të ofrojë dhe programin artistik që ata të përfitojnë sa më shumë nga Shqipëria dhe të flasin për të.
“Më vjen mirë që jemi këtu jo vetëm me përfaqësues të industrisë së turizmit që janë partner të pandashëm, por edhe përfaqësues nga sektori bankar, pushteti vendor dhe nga vendet mike. Këta të fundit padyshim kanë rolin e tyre të rëndësishëm në këtë përpjekjen tonë të përbashkët pasi janë dera e parë ku ata që na vizitojnë trokasin për të marrë informacione.
Një shifër kam dëshirë ta ndaj me ju, se besoj se është tejet domethënëse, shumë kuptimplotë për çfarë po përpiqemi të bëjmë. Por edhe orientuese për si do të shkojmë më tej. Monumentet historike, në 4 muajt e parë kanë tërhequr 182 mijë vizitorë, ndërkohë që Parqet tona Kombëtare Natyrore janë vizituar nga rreth 800 mijë vizitorë. Këto janë shifra marramendëse po të kemi parasysh nga jemi nisur. Jo vetëm që transformimi i vendit do bëhet i pakthyeshëm, por Shqipëria do rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit” tha ai.