Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot në lidhje me akuzat e opozitës se ka kërcënuar SPAK-un gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së.
“Të qeshësh e të qash me lot! Paskam kërcënuar SPAK-un sipas nongratave që betoheshin se edhe Flota e Shtatë Amerikane po t’i drejtonte tytat nga Lalzi nuk do ta votonin Reformën në Drejtësi!”, u shpreh Rama.
“Për mua e për PS-në, SPAKU rron e punon pa gajle 100 vjet dhe bujrum, derën tonë e ka hapur. Por gojën nuk kemi për ta mbyllur, që SPAKU të mos godasë njëanshmërisht, po gjithanshmërisht!”, vijoi Rama.
“Roli i mumjes, përballë rreshtit të gjykatësve e të prokurorëve, që Vetingu i nxorri katran me bojë apo mbi dosjet e skandaleve legjendare të krimit shtetëror, nuk mund të tolerohet më”, u shpreh Kryeministri Rama.
Më herët, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së Rama tha se balanca, jo në aspektin politik, por në aspektin e së drejtës nga SPAK është ende shumë e shtrembëruar.
Rama solli në vëmendje rastin e hetimit të Ardian Dvoranit, një gjykatës që siç u shpreh kryeministri, është vlerësuar nga Sekretariati Amerikan i Shtetit si një ndër kampionët në luftën globale kundër korrupsionit./ATA