Kryeministri Edi Rama këtë të martë në fjalën e tij ka folur sërish për satelitet, ku ka theksuar se ato që qeshin do të shikojnë dhe rezultatin në fund. Sipas tij satelitët do të jenë një ndihmesë e madhe për të të kapur të gjithë krimet mjedisore në vendin tonë.
“Projekti i satelitëve është një projekt tjetër, ju keni dëgjuar dhe keni parë shumë gallat dhe humor, nuk është keq që njerëzit të qeshin, por me satelitin që do të hedhim të parin në muajin mars do të kemi në dispozicion të dhëna në kohë reale përditë, dhe policia e shtetit do të ketë në dispozicion të dhëna për ndërtime pa leje dhe nuk do të jetë e varur sesa mirë e bëjnë punën në terren punonjësit e policisë.
I kanë sytë hapur për një familje në fshat dhe të mbyllur kur plazheve u hidhet beton ndërkohë që gjithçka do të kalojë tashmë te një sy tjetër që nuk ka kushurinj, nuk ka miq nuk ka parti, por vetëm mbledhje dhe kalim të dhënash në duart e autoriteteve.
Policia nga satelitët do të kenë të dhëna në kohë reale, për ndotjen e mjedisit, vendgrumbullimet e paligjshme të plehrave, që krijojnë për ato që krijojnë sasira plehrash që janë krime mjedisore dhe polici i shtetit është përgjegjës dhe duhet që ti Identifikoje jo vetem vendndodhjen për edhe përgjegjësit”, ka thënë Rama.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se në buxhetin e 2022 do të investohet edhe më shumë në teknologji në mënyrë që të policia e shtetit të ketë kontroll të plotë në monitorimin e të gjithë territorit të vendit.
“Në 4 vite e ardhshme do të ngremë më lartë luftën kundër krimit në një tjetër nivel dhe do të adaptojmë inovacionin dhe teknologjinë duke qenë shumë më para se ato që thyejnë ligjin. Të sofistikojmë mënyrën për të luftuar krimin dhe për të kontrolluar territorin në çdo shkelje që bëhet nga mjedisi deri te krimi, çdo shkelje. Duke investuar edhe në teknologji dhe në modernizimin e kontrollit të territorit do të jetë më lehtë dhe efikase për zbulimin e paligjshmërisë. Kemi rritur me 70 % investimet në teknologji”, tha Çuçi.
/Priza.al/